RMV, prej sot fillon pagesa e pensioneve me rritje prej 5.3%, pensionistët megjithatë do të vazhdojnë me protestat

Nga sot nis pagesa e pensioneve në filialet e bankave komerciale. Pensionistët do të marrin pensione më të larta për 5.3 për qind sipas metodologjisë së rritjes së pensioneve. Nga kjo rritje do të përfitojnë më së shumti shfrytëzuesit e pensioneve më të larta, të cilat sipas llogaritjeve do të jenë rreth 3700 denarë, ndërsa pensionistët me të ardhura të ulëta do të marrin vetëm 700 denarë plus në llogaritë e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Sipas metodologjisë dhe të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, pensioni për muajin shtator do të rritet me 5.3%. Ky është rregullimi i dytë për këtë vit, në muajin mars është rritur me 8.4% dhe bashkë me 5.3% në shtator është gjithsej 13.7%”. Në vend jetojnë rreth 330 mijë pensionistë. Pjesa më e madhe e tyre, mbi 97 mijë në muaj, pranojnë pensione deri në 13 mijë denarë”, thanë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Kujtojmë se pensionistët protestuan më 20 shtator, duke kërkuar rritje lineare të pensioneve për 3500 denarë, ndërsa pensionin minimal të jetë 45 për qind nga paga mesatare.

“Nivelizim i pensioneve është gjëja e parë që duhet bërë, që pjesa tjetër e pensioneve më pas të përshtatet sipas rritjes së pensionit minimal”,  reaguan pensionistët.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, kërkoi formimin e grupit punues që tashmë ka filluar punën dhe premtoi se së shpejti do të marrin udhëzime për zgjidhjen e këtij problemi.

Në Maqedoni jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.