RMV, Qeveria vendosi që ndërrimi i patentë shoferëve të jetë pa pagesë për qytetarët

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bqytyqi konfirmoi deklaratën e liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski se ndërrimi i librezës së trafikut dhe patentë shoferëve do të jetë falas për qytetarët deri në fund të vitit, transmeton Portalb.mk.

“Dje, grupi parlamentar i LSDM-së, natyrisht, dhe kryetari i Kuvendit, i cili është nga partia jonë, menjëherë përmes një bisede me të gjitha partitë politike arritën një konsensus se afati i vlefshmërisë së dokumenteve që janë për përdorim të brendshëm duhet të zgjatet dhe kjo u bë. Sot ministrat tanë do t’i propozojnë Qeverisë një zgjidhje me të cilën zëvendësimi i patentë shoferëve dhe lejeve të qarkullimit do të jetë pa pagesë deri në fund të vitit në kurriz të shtetit, në mënyrë që ky proces të realizohet siç duhet nga fundi i vitit”, tha Kovaçevski mëngjesin e sotëm.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Bqytyqi.

“Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse që të gjitha patentë shoferët të jenë pa pagesë”, theksoi ai.

Mitko Bojmacaliev, zëvendësministri shtesë i punëve të brendshme, tha se vendimi tashmë është nënshkruar.

Ai shtoi se të gjithë punonjësit e MPB-së që kanë punuar me dokumentet gjatë fundjavave dhe festave do të marrin një tjetër pagë në llogaritë e tyre nesër.

Bytyqi shtoi se në periudhën në vijim do të kërkohet zgjidhje për kompensimin e atyre qytetarëve kanë paguar dokumentet e reja, dhe ndërkohë kanë paguar sërish për t’i nxjerrë para kohe me emrin e ri kushtetues.

Qeveria në seancën e sotme ka marrë vendim që dokumentet e udhëtimit, të cilat përndryshe kushtojnë 30 euro, do të jenë falas për të gjithë shtetasit e Maqedonisë që ndodhen jashtë vendit dhe nuk kanë arritur të ndërrojnë pasaportën për t’u kthyer.

“Përveç kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme ka për detyrë që të ndërmarrë veprimet e duhura aty ku nuk ka përfaqësi diplomatike-konsullore, të dërgojë dokumentet e udhëtimit me postë dhe ta bëjë online në mënyrë që qytetarët të mos kenë shpenzime shtesë”, tha Bqytyqi

Kujtojmë se Kuvendi dje miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Amendamentet ligjore u propozuan nga Nikolla Micevski, Martin Kostovski, Vjollca Ademi, Adnan Neziri, Dimitar Apasiev dhe Pavle Trajanov dhe janë përkrahur nga të gjithë deputetët e pranishëm në sallë.