RMV, u miratuan ndryshimet ligjore, lejet e vozitjes do të vlejnë deri në fund të vitit

Kuvendi sapo miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024, transmeton Portalb.mk.

Amendamentet ligjore u propozuan nga Nikolla Micevski, Martin Kostovski, Vjollca Ademi, Adnan Neziri, Dimitar Apasiev dhe Pavle Trajanov dhe janë përkrahur nga të gjithë deputetët e pranishëm në sallë.

“Informojmë qytetarët se në përputhje me Ligjin për ndryshimin e Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, miratuar në seancën e sotme të Kuvendit të RMV-së, lejet e vozitjes dhe librezat e vozitjes me emrin Republika e Maqedonisë do të vazhdojnë deri në afatin e përcaktuar në lejen e vozitjes, jo më shumë se 31 dhjetor të vitit 2024”, sqaroi Ministria për Punë të Brendshme.

Dekreti për këto ndryshime është nënshkruar pasdite nga presidenti Stevo Pendarovski.

Qëllimi i ndryshimeve është gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë për problemin me dokumentet personale.

Në interes të qytetarëve dhe për t’i çliruar ata nga presioni dhe kaosi shtesë, me konsensus të ndërsjellë të gjithë koordinatorët nga partitë dolën në një zgjidhje të përbashkët, në këtë seancë të propozojnë ndryshime në Ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor, pas një procedure të shkurtuar.

Këto janë ndryshime të vogla, pra dispozita e datës 12 shkurt 2024 (sot), të ndryshohet deri më 31 dhjetor 2024 ose deri në fund të vitit.

Sipas Ligjit paraprak për dokumentet e udhëtimit i cili është i vlefshëm nga data 13.02.2024 ose nga e hëna deri të martën ora 00:00, dokumentet e udhëtimit me emrin e vjetër nuk do të jenë të vlefshme. Sipas ligjit për siguri në komunikacion, nga data 13.02.2024 patentë shoferët me emrin e vjetër nuk do të jenë më të vlefshme, as për përdorim të brendshëm dhe as për përdorim të jashtëm. Qytetarët e RMV-së që kanë shtetësi të dyfishtë do të mund të udhëtojnë dhe të hyjnë dhe dalin nga Republika e Maqedonisë.