RMV, paraburgim shtëpiak për Todoroviqin, ndërsa paraburgim 30-ditor për Zdravevin në “Feniks” për keqpërdorime me përmendoret nga “Shkupi 2014”

Gjykatësi i procedurës paraprake i ka caktuar paraburgim shtëpiak ish-kryetarit të Komunës Qendër Vlladimir Todoroviq, i cili është një nga të dyshuarit në rastin “Feniks” për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit dhe larje parash lidhur me furnizimin e një pjese të përmendoreve nga projekti “Shkupi 2014”, shkruan MIA, njofton Portalb.

Ish-kryetari Këshillit komunal Vlladimir Zdravev, madje, mori paraburgim prej 30 ditëve, si dhe të dyshuarit Igor Sekullovski dhe Lupço Bakev. Paraburgim shtëpiak i është caktuar edhe Todor Deljanoskit, ndërsa një person është në arrati, informoi sonte prokurori Lubomir Llape pas marrjes në pyetje disaorëshe të të dyshuarve në Gjykatën Penale.

Todoroviq në dalje nga gjykata shkurt deklaroi se nuk ndjehet fajtor dhe se tani për tani nuk ka ndonjë koment tjetër.

Luftëtari në kalë, katër luanë, Goce Dellçev, Dame Gruev Nikolla Karev, Metodija Andonov Çento, Car Samoil, Justiniani i Parë, KAKÇM, themeluesit e VMRO-së. Këto janë 11 përmendoret për të cilët Prokuroria Themelore Publike pas shumë vitesh procedurë parahetimore, ka hapur hetim – nën dyshimin se 15 persona kanë larë para për punimin e tyre në Itali. Nga buxheti i qytetarëve, në mënyrë të paligjshme janë paguar për punimin e përmendoreve 57.5 milionë euro, ndërkaq në Itali janë punuar të njëjtat shumë më lirë. Paratë e mbetura, janë larë në mënyra të ndryshme dhe prej Italisë janë kthyer në RMV, por jo në buxhet, por në firma të ndryshme.

Në këtë rast si i dyshuar i parë është ish kryeministri Nikolla Gruevski, i dyshuar i dytë ish ministri i Financave Zoran Stavrevski, i dyshuari i tretë ish ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, i dyshuar i katërt është ish kryetari i Komunës Qendër, Vlladimir Zdravev, i dyshuar i pestë ish kryetari i Komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq, ndërkaq e dyshuar e gjashtë është pasardhësja e tij, Violeta Alarova. Një prej të dyshuarve, i teti me radhë, është shtetas italian. Të gjithë bashkë, të bashkuar me emrin kodues “Feniks”, sipas Prokurorisë, kanë larë mbi 16 milionë euro nëpërmjet përmendoreve, ndërkaq siç tha prokurori Lubomir lape, i cili e ka udhëhequr rastin “nën vellon e rëndësisë shtetëformuese të personaliteteve”.