Pendarovski: Kemi informata nga NATO se njerëz nga KOM-i, biznes komuniteti dhe partitë bashkëpunojnë me shërbimet ruse

Askush nuk mund ta kontestojë të drejtën e kishës që të protestojë, secili ka të drejtë kushtetuese për këtë, por sipas informatave që vijnë lidhur me këto tema, më vjen çudi se kisha për herë të parë bën thirrje për protestë për këtë rast. Mendoj se kishim dilema shumë të vështira me të cilat ballafaqohej kisha dhe shteti, deklaroi mbrëmë presidenti Stevo Pendarovski në intervistë për TV 24 me rastin e protestës së Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit , njofton Portalb.

Sipas Pendarovskit, protesta është e pakuptimtë për shkak se, siç tha, Qeveria i tërhoqi nga procedura të dy ligjet kundër të cilëve protestohet – për barazi gjinore dhe për të dhënat e lindjes dhe kërkoi debat më të gjerë shoqëror.

“Në të kundërtën, është mirë që kisha të shohë se si papa ballafaqohet me problemet e këtilla. Nuk shoh arsye se pse priftërinjtë e tanë të gjykojnë dikë nëse voton për një ligj të këtillë”, theksoi presidenti.

Në pyetjen se nëse ndikimi rus ka përzier gishta në protestën e KOM-it, Pendarovski potencoi se kjo ekziston, por nuk do të ishte në rregull që t’u merret legjitimiteti atyre të cilët protestuan.

“Ndikim rus padyshim se kishte edhe gjatë hyrjes dsë dhunshme më 27 prill në Kuvend, por nuk mundemi të themi se nuk kishte pakënaqësi legjitime të qytetarëve. Edhe tani nëse keni thirrje nga instanca më e lartë, Sinodi i KOM-it, nuk mund të themi se ndonjë shërbim rus e ka detyruar gjyshin Stefan të nënshkruajë kumtestë të tillë. Ekziston shqetësim legjitim tek Sinodi, nuk flas se nëse kanë të drejtë ose jo”, tha presidenti.

Ai theksoi se ka të ngjitura elemente ruse edhe atë në udhëheqësinë më të lartë të Sinodit dhe “ata  e dinë këtë”.

“Në udhëheqësinë më të lartë të Sinodit, nuk mendoj për kreun. Unë e di dhe këtë ua kam thënë personaliteteve më të larta të kishës. Bazohem në raportet e organeve të cilat merren me këtë punë. Jo vetëm të Agjencisë së Inteligjencës, jemi anëtare e NATO-s, nga 30 vende të tjera, nga 30 shërbime të tjera marrë informata për shkak se jemi pjesë e atij sistemi të përbashkët për shpërndarje të informatave me karakter të inteligjencës dhe sigurisë. Ne nuk kemi fuqi të tillë nga këtu në Shkup ta kuptojmë se çfarë po ndodhë në Kremlin, megjithatë në atë partneritet na ndihmojnë mjaftueshëm dhe të kemi informata të mjaftueshme se çfarë po ndodhë”, tha Pendarovski.

Ai ishte decid se në opinion nuk mund të publikojë informata për emrat e atyre të cilët lidhen me shërbimet ruse, për shkak se ato gjëra janë sensitive.

“Në biznes komunitetin në pozita të larta ka njerëz të cilët punojnë për Rusinë, në partitë politike ka njerëz të cilët janë të lidhur me shërbimet ruse”, shtoi shefi i shtetit Pendarovski.