Gruevski, Stavreski, Milevska, Todoroviq dhe funksionarë tjerë kanë larë miliona euro në projektin fiktiv për përmendoret e “Shkupi 2014”

Luftëtari në kalë, katër luanë, Goce Dellçev, Dame Gruev Nikolla Karev, Metodija Andonov Çento, Car Samoil, Justiniani i Parë, KAKÇM, themeluesit e VMRO-së. Këto janë 11 përmendoret për të cilët Prokuroria Themelore Publike pas shumë vitesh procedurë parahetimore, ka hapur hetim – nën dyshimin se 15 persona kanë larë para për punimin e tyre në Itali. Nga buxheti i qytetarëve, në mënyrë të paligjshme janë paguar për punimin e përmendoreve 57.5 milionë euro, ndërkaq në Itali janë punuar të njëjtat shumë më lirë. Paratë e mbetura, janë larë në mënyra të ndryshme dhe prej Italisë janë kthyer në RMV, por jo në buxhet, por në firma të ndryshme, njofton Portalb.mk.

Në këtë rast si i dyshuar i parë është ish kryeministri Nikolla Gruevski, i dyshuar i dytë ish ministri i Financave Zoran Stavrevski, i dyshuari i tretë ish ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, i dyshuar i katërt është ish kryetari i Komunës Qendër, Vlladimir Zdravev, i dyshuar i pestë ish kryetari i Komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq, ndërkaq e dyshuar e gjashtë është pasardhësja e tij, Violeta Alarova. Një prej të dyshuarve, i teti me radhë, është shtetas italian. Të gjithë bashkë, të bashkuar me emrin kodues “Feniks”, sipas Prokurorisë, kanë larë mbi 16 milionë euro nëpërmjet përmendoreve, ndërkaq siç tha prokurori Lubomir lape, i cili e ka udhëhequr rastin “nën vellon e rëndësisë shtetëformuese të personaliteteve”.

Sipas Prokurorisë, në bazë të provave materiale, ka dalë dyshimi i bazuar se nga gjysma e dytë e vitit 2007 deri në vitin 2013 në Shkup, i dyshuari i parë (Gruevski), duke e shfrytëzuar fuqinë e tij reale si kryetar i Qeverisë së Maqedonisë dhe kryetar i partisë politike që atëherë ka qenë në pushtet, bashkë me bashkëpunëtorët e tij qeveritar dhe partiak – zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministri i Financave (Stavrevski), sekretarja shtetërore në Ministrinë e Kulturës, ndërkaq më vonë dhe ministre (Kançevska Milevska)m kryetari i Këshillit të Komunës Qendër, (Zdravev), por edhe persona tjerë janë lidhur me qëllim të realizimit të qëllimit politik dhe financiar.

“Nën vellon e rëndësisë historike dh shtetformuese të personaliteteve për të cilët janë ngritur përmendure, të dyshuarit kanë filluar me realizimin e projektin e njohur si “Shkupi 2014” për të cilin realisht nuk ekziston dokument i shkruar, vendim, projekt ose program nga organet përkatëse shtetërore. Nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, i dyshuari i tretë është përgatitur dhe ka dorëzuar iniciativa për ndërtimin e përmendoreve nën arsyetimin se bëhet fjalë për monumente përkujtimore me rëndësi lokale për banorët e Komunës Qendër. Edhe pse është bërë fjalë për personalitete me rëndësi të shtetit, iniciativat për ngritjen e përmendoreve janë dorëzuar përpara Këshillit të Komunës Qendër dhe si rezultat i kësaj ka filluar edhe me zbatimin e procedurave për ngritjen e përmendoreve memorialë për të cilat, sipas ligjit, kompetent është Kuvendi i Maqedonisë”, tha prokurori Llape.

Ai shtoi se me veprimet e ndërmarra, në kundërshtim të nenit 11 nga Ligji për Financim të NJVL, me vendime qeveritare, pa program të konfirmuar nga Qeveria, nëpërmjet të dyshuarit të parë dhe të dytë si propozues të autorizuar të Buxhetit të Maqedonisë të cilët me paramendim kanë planifikuar dhe propozuar propozim-ligj për miratimin e Buxhetit të Maqedonisë në të cilat është planifikuar shpërndarja e mjeteve në mënyrë të parregullt, kanë miratuar dhe nënshkruar vendime qeveritare me të cilat drejtpërdrejtë ose nëpërmjet Ministrisë së Kulturës kanë transferuar mjete në Komunën e Qendrës.

“Në këtë mënyrë, duke e shmangur Kuvendin, të dyshuarit kanë siguruar mjete financiare nga buxheti shtetëror me të cilin e kanë financuar kryerjen e veprave penale dhe në mënyrë të paligjshme janë dërguar paratë në Komunën Qendër në vlerë të përgjithshme prej 3.547.390.000 denarë (57.581.138 milionë euro). Me qëllim që të tregohet se ky është projekt i komunës dhe jo i Qeverisë, e dyshuara e pestë, ndërkaq më vonë edhe i dyshuari i gjashtë, por edhe kryetarët e Komunës Qendër, me paramendim i kanë pranuar mjetet që janë transferuar në mënyrë të paligjshme. Paratë nga Ministria e Kulturës dhe nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë pa kurrfarë baze ligjore dhe pa hapur llogari të veçantë, i kanë pranuar si tatime kapitale”, tha prokurori Llape.

Më tej, prokurori tha se me veprimet që i kanë ndërmarrë të dyshuarit, e kanë shmangur kontrollin parlamentar ndaj procesit të planifikimit dhe shpenzimit të mjeteve buxhetore, duke siguruar qasje të pakontrolluar deri te mjetet financiare për kryerjen e veprave penale. Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, të dyshuarit tërësisht e kanë shkelur parimin kushtetues të ndarjes së pushtetit në atë legjislativ, ekzekutiv dhe të vetëqeverisjes, si vlerë themelore e rendit kushtetues, ndërkaq njëkohësisht nga ekspertët dhe qytetarët e kanë fshehur vlerën e varetë të mjeteve financiare për realizimin e gjoja këtij projekti.

“Nga provat e deritanishme të mbledhura, i dyshuari i pestë dhe i gjashtë, si persona zyrtar, kryetarë të Komunës Qendër, i dyshuari i katërt si person zyrtar – kryetar i Këshillit të Komunës Qendër të nxitur dhe ndihmuar nga persona tjerë, gjatë kryerjes së furnizimeve publike për punimin e përmendoreve, kanë kryer një vepër të vazhdueshme penale – Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar sipas nenit 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3 dhe 1 në lidhje me nenin 22 dhe nenin 45 të Kodit Penal. Më saktë, ata kanë zbatuar procedura të paligjshme për furnizim publik për zgjedhjen e shkritores. Pas zgjedhjes, kanë pranuar oferta me çmime joreale nga operator ekonomik i cili vetë nuk i ka plotësuar kushtet, e as ka pasur ofertë të kompletuar, ndërkaq i kanë hedhur poshtë të gjitha ofertat tjera të dorëzuara nga persona tjerë juridik. Në këto vepra, kanë qenë të ndihmuar nga shtetas italian, i cili i ka vendosur në dispozicion personat e tij juridik, nëpërmjet të cilave në emër të më shumë personave juridik kanë dorëzuar oferta paraprakisht të dakorduara dhe kanë nënshkruar marrëveshje, edhe pse e ka ditur se disa prej tyre fare nuk kanë veprimtari të regjistruar për përpunimin e mermerit. Më vonë, përpunimin e përmendoreve me nënmarrëveshje, e ka bërë krejtësisht tjetër firmë, me çmime shumë të ulëta dhe rrejshëm ka treguar se përpunimi është bërë nga firmat e tij”, thanë nga Prokuroria.

Me veprimet e kryera, sipas Prokurorisë, i dyshuari si udhëheqës dhe pronar i dy personave juridik nga Republika e Italisë, ka përfituar për vete dobi të kundërligjshme pronësore me vlerë 16.136.150 euro.

“Në periudhën kohore nga gjysma e dytë e vitit 2008 deri në vitin 2015, një pjesë e të dyshuarve në përbërje të grupit, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se janë marrë me larje parash, janë lidhur në veprime të përbashkëta me persona fizik dhe juridik prej RMV-së dhe jashtë, nëpërmjet të cilëve, personat e dyshuar juridik dhe udhëheqësit e tyre, disa herë kanë pranuar dhe lëshuar në qarkullim para në vlera të mëdha nga i dyshuari si të ardhura nga vepra penale, gjegjësisht prej 16.136.150 eurove”, thanë nga Prokuroria.

Kështu, sipas Prokurorisë, derisa janë zhvilluar pagesa në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara për furnizim publik për punimin e përmendoreve, nga Komuna Qendër ndaj dy personave juridik të drejtuara nga i dyshuari i tetë, një pjesë nga “paratë e pista” në vlerë prej 1.122.720 euro disa herë i ka tërhequr kesh.

Pjesa tjetër e parave, me qëllim që t’í futin në qarkullimin publik, rrugor dhe ekonominë e Republikës së Maqedonisë së veriut dhe t’í përzien me të ardhurat legale që më tej do të krijojnë të ardhura të reja nga veprat penale, grupi ka filluar të pranojë dhe lëshojë në qarkullim në mënyra të ndryshme – një pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërkaq tjetra nëpërmjet shteteve tjera në drejtim të RMV-së.

“Në këtë mënyrë, në periudhë prej vitit 2008 deri në vitin 2009 nga Firenca e Italisë, i dyshuari i tetë nëpërmjet dy personave juridik të cilat i ka menaxhuar, nëpërmjet transaksioneve bankare në bazë të faturave fiktive ka lëshuar në qarkullim nga Italia direkt në RMV mjete në vlerë prej 177.221 euro, të cilat paraprakisht i ka pranuar. Këto mjete nga llogaria e personit juridik janë tërhequr në kesh dhe janë dorëzuar te njëri prej të dyshuarve, nëpërmjet një pjesë e tyre janë transferuar në llogaritë e personave tjerë juridik, prej ku sërish janë ngritur në kesh dhe janë dorëzuar te njëri i dyshuar”, thonë nga Prokuroria.

Prej atje shtojnë se i dyshuari, prej vitit 2008 deri në vitin 2009 ka lëshuar para prej Firencës së Italisë 177.221 euro deri te një firmë e RMV-së, ndërkaq prej vitit 2009 deri në vitin 2010 ka lëshuar 327.853 euro me fatura fiktive për gjoja shërbime konsulente.

Prokuroria njoftoi se pas sigurimit të provave nëpërmjet rrugës së ndihmës juridike ndërkombëtare nga pesë shtete, gjatë ditës së djeshme dhe sot, deri te gjykatësi i procedurës paraprake janë dorëzuar disa kërkesa për bastisje dhe kërkesa për marrjen e përkohshme të pronës për shkak të sigurimit, ngrirjes së llogarive bankare dhe aksioneve, por edhe propozime për caktimin e masës së paraburgimit dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së të dyshuarve.