U arrestuan ish-kryetari i Qendrës, Vlladimir Todoroviq dhe 10 bashkëpunëtorë për pastrim parash në projektin “Shkupi 2014”
Ish-kryetari i Komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq nga VMRO-DPMNE-ja dhe 10 bashkëpunëtorë janë arrestuar mbrëmë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare dhe pastrim parash për monumentet në Shkup, pjesë e projektit “Shkupi 2014” në vlerë prej 700 milionë euro, transmeton Portalb.mk.
Pasi kanë kaluar natën në stacionin policor, pritet që të sillen para gjykatësit për procedurë paraprake në Departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion të Gjykatës penale në Shkup.
Meqenëse të dyshuarit me veprat e tyre penale kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, komptenca është në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe hetimin e udhëheq prokurori Ljubomir Lape.
Ky hetim ka qenë i hapur që nga koha e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), dhe sipas njohurive paraprake të Sdk.mk, provat kryesore ndër vite janë siguruar në Itali, ku janë hedhur monumente të panumërta, të cilat qeverisja e atëhershme e VMRO-së përmes Qeverisë me në krye Nikolla Gruevskin dhe përmes Komunës Qendër i nxorën brenda natës si nga linja e fabrikës.
Këto vepra penale ku dëmtohet buxheti nuk vjetërohen për disa dekada.
Projekti “Shkupi 2014” i Qeverisë së VMRO-së dhe BDI-së ka qenë objekt i kritikave nga bashkësia ndërkombëtare, në rend të parë për shkak të tensioneve ndëretnike dhe përkeqësimit të raporteve me Greqinë, me të cilën më shumë se 20 vjet nuk mundi të gjente zgjidhje për emrin.