Të rinjtë dhe “cookies“-at: nëse nuk hahen, nuk ju interesojnë

“Nuk e di se çfarë janë cookies, mendoj se janë viruse që shfaqen në faqet e internetit, nuk i pranoj”, është vetëm një nga përgjigjet që japin të rinjtë në pyetjen se çfarë janë “cookies”. “Të rinjtë dhe privatësia digjitale në Maqedoninë e Veriut”, thonë se vetëm një pjesë e vogël e të rinjve në Maqedoni kanë informacion të plotë se çfarë janë “cookies” dhe cili është qëllimi i tyre.

Të dhënat e publikuara në hulumtimin e Federatës Ndërkombëtare për Sisteme Zgjedhore (IFES) – “Të rinjtë dhe privatësia digjitale në Maqedoninë e Veriut”, tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e të rinjve në Maqedoni kanë informacion të plotë se çfarë janë “cookies” dhe cili është qëllimi i tyre.

“Cookies“-a që nuk hahen

Fondacioni Metamorfozis rregullisht  publikon artikuj edukativ për politikën  cookies-ave në faqet e internetit dhe në aplikacione. Sipas definicionit, “cookies“ janë datoteka të vogla, tekstuale të cilat dërgohen nga uebfaqet të cilat i vizitojnë përdoruesit dhe ruhen nëpër pajisjet e tyre elektronike (kompjuterë, tablet, telefona celularë).

Vëmendja e pamjaftueshme që i kushtojmë Politikës së Cookies-ave ka si rezultat kërkimin pothuajse të përditshëm në internet për një produkt ose shërbim të caktuar, pas çka na paraqiten reklama për produktin ose shërbimin e kërkuar.

Në fakt, “cookies”-at përdoren për të gjurmuar aktivitetin e përdoruesit në një uebsajt të caktuar dhe për të memoruar informacione të caktuara, siç janë: të dhënat gjatë lajmërimit, preferencat dhe përmbajtja e shportës së konsumatorit.

Printscreen: Shembull i një Politike të publikuar për Cookies që është publikuar në mënyrën e duhur në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Revizionit
Printscreen: Shembull i një Politike të publikuar për Cookies që është publikuar në mënyrën e duhur në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Revizionit

“Cookies-at përdoren për ta lehtësuar funksionimin e uebfaqes ose për të memoruar aktivitetet dhe preferencat tuaja ose për të ofruar përmbajtje të personalizuar në uebfaqe. Kur e vizitojnë sërish atë uebfaqe, ato i lexojnë këto datoteka tekstuale për të ndihmuar identifikimin e përdoruesit”, shkruan Nikolla Dimitrov në një nga tekstet edukative për politikat e cookies-ave të cilët i ka publikuar Fondacioni Metamorfozis.

Të rinjtë me një nivel të ulët njohurish për politikat e cookies-ave

Hulumtimi i fundit nga IFES i realizuar me të rinjtë tregon rezultate shqetësuese për mbrojtjen e të dhënave personale online. Rezultatet janë fituar nga hulumtimi i kryer kuantitativ dhe kualitativ.

Edhe pse i hasin ato në faqe ose aplikacione të ndryshme kur përdorin internetin, bisedat e realizuara me të rinjtë e moshës 14 deri në 24 vjeç, në dymbëdhjetë fokus grupe të zhvilluara në prill të këtij viti, nxorën në pah se vetëm një pjesë e vogël e pjesëmarrësve kishin informacion të plotë se çfarë janë “cookies”-at dhe cili është qëllimi i tyre.

“Nuk e di se çfarë janë cookies, mendoj se janë viruse që shfaqen në faqet e internetit, nuk i pranoj”, është vetëm një nga përgjigjet që japin të rinjtë në fokus grupet në pyetjen se çfarë janë “cookies”.

Në dymbëdhjetë fokus grupet ishin të përfshirë të rinj në moshë nga 14 deri në 17 vjet (gjashtë fokus grupe) dhe nga 18 deri në 24 vjet (gjashtë fokus grupe) nga të gjitha rajonet e vendit.

Edhe hulumtimi kuantitativ i realizuar në një mostër përfaqësuese kombëtare prej 1.067 të anketuarve në moshë nga 14 deri në 24 vjet, në periudhën nga 20 prilli deri më 2 maj të vitit 2023, tregon rezultate të dobëta. Tek të rinjtë në Maqedoni nuk ka nivel të lartë të vetëdijesimit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kështu, 24 përqind e të rinjve janë përgjigjur se janë plotësisht dakord me konstatimin “Unë e fshij rregullisht listën time të kërkimit dhe cookies-at për t’i kufizuar të dhënat që mblidhen për mua”, ndërsa 22 përqind e tyre janë shprehur se deri diku janë dakord me këtë konstatim. Njëkohësish, 21 përqind e të rinjve që janë përgjigjur kanë mbajtur qëndrim neutral në lidhje me këtë konstatim. Përkundër kësaj, 39 përqind e të rinjve nuk kanë qenë dakord me konstatimin se e fshijnë rregullisht listën e kërkimit dhe cookies-at për t’i kufizuar të dhënat e mbledhura për ato.

Pastaj, hulumtimi kuantitativ tregon se 50 përqind e të anketuarve të rinj janë përgjigjur se janë deri diku ose plotësisht dakord me konstatimin se janë të shqetësuar për të dhënat e tyre personale që grumbullohen në faqet dhe aplikacionet pa dijeninë e tyre. Përkundër kësaj, 22 përqind e të rinjve nuk pajtohen plotësisht ose pjesërisht me këtë konstatim, ndërsa 24 përqind janë neutralë në lidhje me këtë.

Në pyetjen “A keni fshirë ndonjëherë një aplikacion apo profil për shkak të shqetësimit për rrezikim të privatësisë”, 51 përqind e të rinjve në anketë janë përgjigjur me “jo”, 44 përqind me “po” dhe 5 përqind nuk kanë dhënë përgjigje për këtë pyetje.

Tu kushtojmë vëmendje cookies-ave që përdoren për qëllime marketingu

Ekspertja për mbrojtjen e të dhënave personale, Elena Stojanovska, për Meta.mk sqaron se të gjithë qytetarët që vizitojnë uebfaqet apo përdorin aplikacione së pari duhet të informohen se çfarë cookies-a përdorin ato.

“Leximi i Politikës së cookies-ave është një hap i parë e i rëndësishëm, sepse prej aty do të informohemi nëse me disa prej cookies-ave përpunohen edhe të dhënat personale. Disa nga cookies-at janë të detyrueshme dhe të nevojshme për funksionimin e vetë faqes dhe ne nuk do të na jepet mundësia për t’i zgjedhur apo jo ato”, shpjegon Stojanovska.

Ajo shton se duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë sqarimeve për cookies-at që përdoren për qëllime marketingu, që mundësojnë lidhje me profilet tona në rrjetet sociale, që ruajnë të dhëna nga format online të regjistrimit online, etj.

“Pikërisht këto cookies-a më tej mund të shërbejnë për të na profilizuar si përdorues, të zakoneve dhe nevojave tona, komunikimin dhe aktivitetin tonë në rrjetet sociale, ndarjen e të dhënave tona me palët e treta për qëllime marketingu. Prandaj, para se të klikojmë se pajtohemi, duhet të informohemi se për çfarë saktësisht japim pëlqimin tonë, por edhe nëse do mund ta ndryshojmë në të ardhmen atë që e kemi zgjedhur paraprakisht”, thekson Elena Stojanovska.

Vetë publikimi i Politikës për cookies-at konsiderohet se siguron të drejtën e informimit në lidhje me përpunimin e të dhënave personale dhe pikërisht për këtë arsye duhet të lexohen me kujdes dritaret që shfaqen kur vizitoni një faqe të caktuar në internet. Të drejtat e qytetarëve janë të qarta, është e drejta jonë të tërheqim pëlqimin, domethënë të ndryshojmë përzgjedhjen e cookies-ave, por edhe të kërkojmë akses dhe informacion shtesë se si përdoren të dhënat e grumbulluara.

E një rëndësie të veçantë kur bëhet fjalë për përdorimin e cookies-ave është se ne kemi të drejtë të kërkojmë të mos jemi subjekt i profilizimit për qëllime marketingu. Nëse besojmë se të dhënat tona personale të grumbulluara përmes përdorimit të cookies-ave janë përpunuar në mënyrë të paligjshme, ne kemi të drejtë të bëjmë ankesë për përpunimin konkret, shpjegon ekspertja e mbrojtjes së të dhënave personale.

Cookies-at në vetvete nuk janë të dëmshme, thotë Elena Stojanovska, por nëse të dhënat e mbledhura nga cookies-at bien në duart e hakerëve, dëmi mund të jetë i madh sepse ata do të fitonin një pasqyrë për aktivitetin tonë në internet, kërkimet që kemi bërë, të dhënat personale të ruajtura në faqe të ndryshme, blerjet online dhe transaksionet që kemi bërë.

“Sa herë që përdorim një platformë kërkimi, ruhen një numër i cookies-ave që kemi lejuar më parë, duke e bërë të disponueshme publikisht historinë e përmbajtjes që kemi kërkuar. Gjithashtu, një pjesë e madhe e cookies-ave ruhen në hard diskun e pajisjeve tona, kështu që me kalimin e kohës mund të përballemi me bllokimin e memories së pajisjeve që përdorim. Me rëndësi të veçantë është edhe grumbullimi i të dhënave të mbledhura nga cookies-at që disa sajte ua shesin palëve të treta për qëllime marketingu. Informimi dhe zgjedhja e zgjuar e cookies-ave është e rëndësishme në mënyrë që ne të mund t’i zvogëlojmë vetë rreziqet që para se të fillojmë ndonjë aktivitet specifik në një faqe interneti”, shpjegon Stojanovska.

Në Maqedoni ekzistojnë dy ligje që e mbulojnë rregullimin e përdorimit të cookies-ave, përkatësisht Ligji për Komunikimet Elektronike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ligji i parë parasheh se ruajtja e informacionit ose fitimi i aksesit në informacionet tashmë të ruajtura në pajisjet e përdoruesit lejohet vetëm nëse përdoruesi ka dhënë pëlqimin e tij. Parimi i parë i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është pikërisht parimi i ligjshmërisë, drejtësisë dhe transparencës.

Në rast të dyshimit për shkelje të mundshme të të drejtave të tyre në raport me mbrojtjen e të dhënave personale, qytetarët duhet të dorëzojnë ankesë pranë Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Për nevojat e këtij teksti, Meta.mk në dy raste, më 5 dhe 12 qershor, me e-mail ka dërguar pyetje pranë Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por deri në përfundimin e tij nuk morëm asnjë përgjigje, edhe pse u munduam që të kontaktojmë me Agjencinë në fjalë edhe përmes telefonit.

Ndër të tjera, Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e pyetëm edhe se çfarë ndëshkimesh ka për subjektet që nuk do t’i respektojnë zgjidhjet ligjore për vendosjen e Politikës për përdorimin e cookies-ve në ueb faqet e tyre ose për mbledhjen e paligjshme të të dhënave nga përdoruesit, por pyetëm edhe se sa ankesa u janë dorëzuar nga qytetarët.