RMV, Osmani me video sqaroi pëmbajtjen e Kornizës negociuese për anëtarësim në BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani publikoi një video në Fejsbukun e tij me sqarim të shkurtër, siç thekson, të esencës së Kornizës negociuese për negociatat me BE-në, si përgjigje ndaj spekulimeve të shumta lidhur me përmbajtjen e saj, njofton Portalb.

“Fillimisht, Korniza negociuese ndahet në dy pjesë – një pjesë e përgjithshme dhe një pjesë e veçantë. Pjesa e përgjithshme i përmban të ashtuquajturat dispozita të përgjithshme të Kornizës negociuese për të cilat nuk bëhet raport me shkrim nga Komisioni Evropian dhe as nuk kërkohet votim nga Këshilli Evropian, d.m.th. nga shtetet anëtare të Unionit. Në pjesën e posaçme janë 35 kapituj, për të cilët ka standarde që duhet të plotësohen dhe për të cilët Komisioni Evropian përgatit raport dhe shtetet anëtare e miratojnë me votim. Këto dispozita janë të përfshira në tre udhërrëfyesit që do t’i përgatisim pas Skriningut, të cilat do të miratohen nga Bashkimi Evropian. Këto janë: Udhërrëfyesi për Sundimin e Ligjit, Udhërrëfyesi për Administratën Publike dhe Udhërrëfyesi për Institucionet Demokratike. Në njërin prej këtyre udhërrëfyesve, Udhërrëfyesin për Sundimin e Ligjit, ekziston plan aksionar për pakicat, për të gjitha pakicat, etnike apo joetnike”, thekson Osmani.

Ajo që është më e rëndësishme, potencon ai, është se në asnjërin nga këto dispozita, udhërrëfyes apo pika të pjesës së posaçme të Kornizës negociuese nuk ka ndonjë referencë apo lidhje me Marrëveshjen për Miqësi me Bullgarinë, asnjë referencë për çështjen e punës së Komisionit të historisë e as rishikime të Nenit 12 nga e njëjta Marrëveshje.

“Përkundrazi – edhe Marrëveshja e Miqësisë ashtu edhe rishikimet nga Neni 12 i Marrëveshjes ashtu si edhe Marrëveshja me Greqinë janë të shënuara në pjesën e përgjithshme të Kornizës, pjesa për të cilën nuk hartohet ndonjë raport nga Komisioni Evropian dhe as që i nënshtrohet votimit ose miratimit nga Këshilli i BE-së, përkatësisht nga shtetet anëtare të Unionit. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të punojmë për zbatimin e tyre, sigurisht që e kemi marrë përsipër këtë detyrim, do ta bëjmë me vullnet të mirë, por nuk janë standarde për të cilat do të hartohet raport ose të votohet, prandaj ato nuk mund të jenë bazë për një pengesë të re në rrugë”, thekson në shpjegim Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka paralajmëruar që seanca për ndryshimet kushtetuese do të fillon më 18 gusht. Ai sqaroi që debati do të jetë dhjetë ditë pune, por nuk dihet kur do të jetë votimi.

“Seanca për ndryshimet kushtetuese fillon më 18 gusht dhe debati duhet të përfundojë më 31 gusht, por shprehet ai, votimi mund të shtyhet, e nëse nuk ka kushte, nuk do të ndodhë fare”, deklaroi Xhaferi.

Më 4 gusht të vitit 2023, Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) njoftoi se për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian tashmë ka publikuar dhe dorëzuar një draft raport shqyrtimi për Klasterin e parë “Vlerat fundamentale”.

Vlerësimi i Komisionit në Raport bazohet në informacionin e marrë gjatë skriningut si dhe në dialogun e zhvilluar në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe në Raportet vjetore të Komisionit Evropian që janë pjesë e paketës së zgjerimit.

“Ky është vetëm një draft-raport që ende do të diskutohet dhe miratohet nga vendet anëtare të BE-së dhe vjen në kohën e duhur kur jemi duke punuar intensivisht në hartimin e udhërrëfyesve”, thotë zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq.

Raporti pasqyron gjendjen e vendit dhe drejtimin për reformat e ardhshme që duhet të bëjë Maqedonia e Veriut në fushën e sundimit të ligjit, përkatësisht reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut, si dhe forcimi i funksionimit të institucioneve demokratike dhe reforma në administratën publike, me qëllim plotësimin e kushteve për anëtarësim në Bashkim.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.