Nga Shoqatat e Transportuesve thonë se problemet vetëm janë ndjerë në vendkalimet kufitare me Greqinë, Bullgarinë dhe Turqinë, shtete prej të cilave importohen një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para por edhe të prodhimeve të gatshme për treg. Nga Asociacioni “Makam-Trans” thonë se ekonomia e vendit rrezikon të mbetet pa mallrat e importuara nëse nuk janë të ndërruara të gjitha dokumentet e udhëtimit, patentat e shoferëve, lejet e qarkullimit të automjeteve dhe ngjitësit e targave me emrin e ri.

Alsat raportoi që shërbimet kufitare shqiptare i lejojnë qytetarët maqedonas të kalojnë pa problem, pavarësisht nëse e kalojnë kufirin me letërnjoftime apo pasaporta me emrin e vjetër kushtetues të shkruar në to apo me dokumente të reja me “Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Ata me të cilët biseduam thonë se është mirë që autoritetet në Tiranë nuk krijojnë probleme, pasi një numër i madh i qytetarëve, sidomos nga zonat kufitare si Struga dhe Ohri, bëjnë çdo ditë vizita ditore në Shqipëri.

Ndryshe, neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Për më tepër, zyrtarë të qeverisë në vitin 2018 deklaronin se qytetarët nuk do të kenë asnjë shpenzim shtesë dhe se dokumentet e udhëtimit do të ndryshohen pas skadimit të afatit të tyre.