Propozimi për uljen e koeficienteve për uljen e pagave të funksionarëve në RMV kaloi në seancë plenare

Komisioni Parlamentar për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve miratoi sot propozim-vendimin për uljen e koeficienteve me të cilët llogariten pagat e presidentit, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë që emërohen nga Kuvendi, përcjell TV21.

Vendimi vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shfuqizua baza fikse për llogaritjen e pagave të funksionarëve.

Kryetari i Komisionit, Gjorgji Sajkoski, tha se komisioni ka vepruar në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të shmangur një vakum ligjor. Propozim-vendimi tani duhet të shqyrtohet dhe të miratohet në seancë plenare të Kuvendit.

Pagat e funksionarëve janë rregulluar disa herë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023, me të cilin u shfuqizua baza fikse për përllogaritjen e pagave. Pas këtij vendimi, pagat u lidhën me pagën mesatare, duke sjellë rritje të konsiderueshme të të ardhurave të funksionarëve. Për të kufizuar këtë efekt, Kuvendi ka ndërhyrë disa herë duke ulur koeficientet. Në vitin 2024, koeficienti më i lartë u ul nga 4.50 në 3.92, ndërsa më vonë u ul në 3.47.

Në shkurt të vitit 2026, Kuvendi miratoi një tjetër paketë ndryshimesh për nivelizimin e pagave, me ulje të mëtejshme të koeficienteve për funksionarët.