Mungojnë inspektorë dhe digjitalizimi është i dobët, Revizioni konstatoi mangësi në Inspektoratin e Tregut
Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) ka shprehur opinion të pafavorshëm për realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT) për vitin 2024, si dhe opinion me rezervë për përputhshmërinë e punës së tij me rregullativën ligjore. Problemet kryesore janë mungesa e stafit, digjitalizimi i ngecur, mangësitë financiare dhe pasiguria për kontrollet e ardhshme të produkteve të pasigurta, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportit të EShR-së, në vitin 2024 janë realizuar 28.263 kontrolle inspektuese, prej të cilave 21.108 të rregullta, 5.106 të jashtëzakonshme dhe 2.049 kontrolle. Këto kontrolle janë kryer nga vetëm 148 inspektorë, që përbën 47 përqind të gjithsej 313 vendeve të sistematizuara të punës për inspektorë.
“Numri i pamjaftueshëm i inspektorëve dhe tendenca e zvogëlimit të numrit të tyre ndikojnë në mundësinë për realizimin e aktiviteteve të planifikuara të kontrollit dhe kompetencave ligjore”, thuhet në raportin e EShR-së.
Problem shtesë është se pesë departamente nuk kanë drejtues. Në Departamentin për Sigurinë e Produkteve, nga 14 vendet e parashikuara të punës, janë plotësuar vetëm pesë.
Revizorët kanë konstatuar edhe parregullsi gjatë rotacioneve të stafit. Në periudhën janar-tetor 2024 janë miratuar 19 vendime për sistemimin e nëpunësve administrativë në pozita inspektorësh pa buxhet të siguruar dhe pa plan, për shkak të së cilës në dhjetor të po atij viti janë anuluar 17 prej këtyre vendimeve.
“E-inspektor” nuk funksionon plotësisht, nuk ka bazë për vlerësimin e rrezikut
Aplikacioni “E-inspektor” ende nuk është vënë në përdorim të plotë dhe nuk janë krijuar as regjistrat e nevojshëm elektronikë. Inspektorati nuk disponon me një bazë të vetme të të dhënave me metodologji për vlerësimin e rrezikut, gjë që drejtpërdrejt e vështirëson planifikimin dhe monitorimin e kontrolleve inspektuese. Po ashtu, evidenca e dokumenteve nga kontrollet është e paplotë, ndërsa listat e kontrollit nuk përditësohen rregullisht.
Në pikëpyetje kontrolli i produkteve të pasigurta
Në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2025, nga tregu janë tërhequr 40 produkte të pasigurta, bazuar në analizat laboratorike. Këto analiza janë kryer në laboratorë të huaj të akredituar, ndërsa mjetet janë siguruar përmes donacioneve dhe projekteve të huaja (GIZ, EU4Business, Regio Trade, me mbështetje IT nga CEFTA).
EShR-ja paralajmëron se është e pasigurt nëse këto kontrolle do të vazhdojnë pas përfundimit të projekteve, për shkak të mjeteve të kufizuara në buxhetin e ISHT-së për testimin e vazhdueshëm të produkteve të pasigurta në laboratorë jashtë vendit.
Rrezik gjatë ruajtjes së mallrave të konfiskuara
Revizioni ka konstatuar edhe një sërë mangësish financiare dhe materiale.
Gjatë inventarizimit nuk janë përfshirë objektet ndërtimore dhe mjetet jomateriale, ndërsa për mungesat dhe tepricat e konstatuara nuk kishte propozime për veprim.
“Për pajisjet e vjedhura gjatë vitit 2025 nuk është bashkëngjitur dokumentacion nga organi kompetent që e konfirmon ngjarjen”, thonë revizorët.
Në shkurt të vitit 2025 ishte paraparë inventarizim i jashtëzakonshëm i mjeteve, i cili nuk ishte realizuar deri në ditën e revizionit.
Materialet e zyrës në vlerë prej 1,1 milion denarësh, formularët e inspektimit në vlerë prej 791 mijë denarësh dhe gomat e automjeteve në vlerë prej 249 mijë denarësh nuk ishin regjistruar fare në evidencën materiale.
Revizorët kanë konstatuar gjithashtu se ISHT-ja nuk ka objekte të përshtatshme për ruajtjen e mallrave të konfiskuara deri në dorëzimin e tyre te Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, gjë që krijon rrezik për dëmtimin, humbjen ose trajtimin subjektiv të këtyre sendeve.
Me ndryshimet më të fundit ligjore, ISHT-ja e ka humbur statusin e personit juridik dhe llogarinë e vet buxhetore, duke kaluar si organ në përbërje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.
EShR-ja rikujton se kjo është në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit Evropian nga viti 2025, të cilat kërkojnë pavarësi operative të ISHT-së, forcim të stafit dhe digjitalizim të plotë.
Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për plotësimin e vendeve të punës për inspektorë, vendosjen e detyrueshme të sistemit informativ, sigurimin e buxhetit të posaçëm për analizat laboratorike dhe rregullimin urgjent të evidencës kontabël dhe materiale.
Ndryshe, Revizioni, në raportin e fundit, konstatoi se Maqedonia nuk ka një sistem të përgatitur që mund t’u përgjigjet dhe të përballet në mënyrë efikase me katastrofat.