“Jo në emrin tim!”, më 27 shtator në Shkup do të mbahet marsh protestues për dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së
Më 27 shtator në Shkup do të zhvillohet një marsh protestues me moton “Jo në emrin tim!”, lidhur me zhvillimet dhe proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas njoftimit të Këshillit Organizativ të Marshit Protestues, protesta do të nisë në ora 14:00 nga Sheshi “Skënderbeu”. Organizatorët u kanë bërë thirrje të gjitha partive politike shqiptare, pa dallim, që t’i bashkohen marshit, duke theksuar se, sipas tyre, bëhet fjalë për një çështje që prek një pjesë të historisë së përbashkët, transmeton Portalb.mk.
“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike shqiptare, pa dallim, që t’i bashkohen marshit. Kjo nuk është çështje e një partie apo grupimi politik, por një çështje që prek një pjesë të rëndësishme të historisë sonë të përbashkët”, thanë nga Këshilli Organizativ.
Organizatorët i ftuan të marrin pjesë edhe familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, Bashkësia Fetare Islame, studentët, profesorët, akademikët, intelektualët, artistët, veprimtarët, shoqëria civile dhe qytetarët.
Organizatorët theksojnë se marshi do të jetë “paqësor, qytetar dhe dinjitoz” dhe u bëjnë thirrje pjesëmarrësve që protesta të zhvillohet me qetësi, maturi dhe respekt për rendin publik.
Marshi do të mbahet të dielën, më 27 shtator, në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Dhoma e Specializuar e Hagës më 16 shtator dënoi me burgime shumëvjeçare ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, duke i shpallur fajtorë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet burg, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burg.
Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar bënë thirrje që të pranohet dhe respektohet aktgjykimi i Hagës, me të cilin drejtuesit e ish-UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u dënuan me burgime të gjata për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitet 1998 dhe 1999.