Andonovski: Përmes m.Shërbime qytetarët do të kenë qasje në dokumentet e tyre direkt nga telefoni

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në intervistën e mbrëmshme në emisionin “360Gradë” në RTM1, foli për aplikacionin mobil m.Shërbime, i cili do t’u mundësojë qytetarëve që letërnjoftimin, patentën e shoferit dhe dokumentet e tjera t’i kenë në formë elektronike, në një vend të vetëm në telefonin e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Para një viti u promovua versioni demonstrues në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Shkup. Që atëherë, disa mijëra qytetarë e testuan aplikacionin dhe morëm më shumë se 200 vërejtje. Përveç kësaj, gjatë analizës që zhvilluam, konstatuam disa aspekte të funksionalitetit që duhej të përmirësoheshin. Elementi i dytë i rëndësishëm ishte që me Ministrinë e Punëve të Brendshme të dakordoheshim për protokollin e shkëmbimit të të dhënave, pasi MPB-ja është institucioni burimor për të dhënat e letërnjoftimit dhe patentës së shoferit”, deklaroi Andonovski.

Ai theksoi se letërnjoftimi dhe patenta e shoferit janë vetëm fillimi i zhvillimit të aplikacionit.

“Ideja është që m.Shërbime të funksionalizohet si një superaplikacion. Qëllimi nuk është që në të të jenë të qasshme vetëm letërnjoftimi dhe patenta e shoferit, por të funksionojë si një portofol digjital, në të cilin qytetarët do të mund t’i kenë në një vend edhe dokumentet e tjera që i përdorin shpesh, si certifikatat, diplomat dhe dëftesat”, tha ministri.

Andonovski theksoi se me promovimin e aplikacionit fillon procesi i njohjes dhe pranimit më të gjerë të dokumenteve elektronike nga institucionet. Ai pret që institucionet, tek të cilat ligjet nuk parashikojnë shprehimisht dorëzimin e fotokopjes së letërnjoftimit apo dokumenteve të tjera, menjëherë të fillojnë t’i pranojnë versionet elektronike.

“Po fillojmë një proces për të cilin jam i vetëdijshëm se do të nevojitet kohë derisa dokumentet personale në formë elektronike të pranohen nga të gjitha institucionet. Megjithatë, kjo çështje tashmë është e rregulluar me Ligjin për dokumentet elektronike, që do të thotë se përdorimi i tyre është plotësisht legjitim dhe i rregulluar me ligj”, theksoi Andonovski.

Ministri potencoi se detyra e Ministrisë së Transformimit Digjital është t’i hapë dhe t’i çojë përpara këto procese, me qëllim që dokumentet dhe shërbimet elektronike të bëhen pjesë e përditshmërisë së qytetarëve.

“Ky proces mund të zgjasë, por detyra jonë si Ministri e Transformimit Digjital është t’i hapim dhe t’i çojmë përpara këto procese. Kështu ishte edhe kur mora detyrën, kur përmes ndryshimeve ligjore mundësuam që institucionet t’i pranojnë dokumentet elektronike”, porositi Andonovski.