Kryeministrja estoneze reagoi pas urdhërarrestit të Rusisë: Nuk do të më heshtni

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ka reaguar ndaj vendimit të Rusisë për të lëshuar urdhërarrest për të për akuzat penale që lidhen me shkatërrimin e monumenteve të periudhës sovjetike, raporton Koha.net. Kjo ishte hera e parë që Rusia lëshon urdhërarrest për liderin e një vendi. Vendimi shkaktoi tensione të mëdha dhe Kallas ka thënë se vendimi i Moskës nuk ishte aspak befasues.

“Aktivitetet e Rusisë nuk janë befasi. Kjo është taktika e tyre e zakonshme e frikësimit. Federata Ruse mendon se një urdhërarrest fiktiv do të ndihmojë të mbajë qetësinë e Estonisë. Unë nuk do të hesht dhe do të vazhdoj të mbështes fuqishëm Ukrainën dhe të përpiqem të forcojë mbrojtjen e Evropës”, ka thënë kryeministrja estoneze.

Sipas Kallasit, Rusia edhe gjatë historisë ka përdorur autoritetet gjyqësore për të justifikuar persekutimet e saj.

“KGB-ja ka lëshuar një urdhërarrest për familjen time në të kaluarën”, tregon Kallas.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Kallas dhe zyrtarë të tjerë balltikë kërkoheshin për veprime armiqësore kundër Rusisë dhe “zhdukje të kujtesës historike”.

“Këta janë njerëz që ndërmarrin veprime armiqësore kundër kujtesës historike dhe vendit tonë”, ka thënë Peskov.