RMV, mjekët punësohen nga partia politike ose nga etniteti, por sigurisht që me lidhje

Rreth 350 mjekë dhe 1400 motra medicinale në Maqedoninë e Veriut presin të punësohen përderisa për 1117 vende pune që u premtuan nga autoritetet procesi u ndërpre. VMRO DPMNE dhe LSDM fajësjnë njëra tjetrën se kush i ndaloi dhe nëse ministri i financave, Fatmir Besimi nga BDI ka dhënë miratimin e tyre.  Punësime në personelin mjekësor kishte vetëm në spitalin e Gostivarit, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Këto ditë, rreth 250 të rinj, të gjithë mjekë të licencuar të mjekësisë kanë marrë ose duhet të marrin telefonatë për të kryer praktikën me pagesë.

“Kolegët kanë pritur edhe nga 4-5 muaj, institucionet e hidhnin përgjegjësinë, ndërsa ne humbisnim kohë të vlefshme edhe pse bëhet fjalë për rregulla të lojës që na i obligon shteti. Mendoj se tani që na thirrën është për shkak të presionit nga publiku”, thotë mjeku i ri Aleksandar Veselinov për REL.

Pas praktikës së detyrueshme, Aleksandri do t’u bashkohet mjekëve që presin punësim. Dhe nuk janë pak.

Nuk ka asnjë klinikë që nuk i mungon personeli mjekësor, ndërsa mjekët dhe motrat medicinale rrinë pa punë. Të dhënat nga Agjencia për punësim që i siguroi REL tregojnë se deri më 31 janar të viti 2024 në Maqedoninë e Veriut ka 354 mjekë të mjekësisë të papunësuar dhe rreth 1420 infermierë.

Pjesa më e madhe e personelit të papunësuar mjekësor për punësim të parë presin deri më 11 muaj. Por, ka edhe prej tyre që presin edhe nga pesë vite e më shumë, në këtë grup janë 39 motra medicinale, 115 teknik mjekëse dhe 23 përkujdesës të të moshuarve.

Partia është më e fuqishme se mesatarja e Fakultetit të Mjekësisë

Mjekët e rinj ankohen se nuk mund të punësohen në punë shtetërore as edhe me mesatare të lartë, sepse punësohen zakonisht nëpërmjet partisë ose kritereve tjera.

“U bëjmë sërish thirrje kolegëve që të dalin publikisht dhe të tregojnë problemet. Por ata që janë të guximshëm janë larguar nga  këtu”, thotë Dr. Nenad Lazarov nga Shoqata e praktikantëve dhe mjekëve të rinj.

Partitë VMRO-DPMNE dhe LSDM reaguan për punësimet në spitalin e Gostivarit dhe kërkuan të anulohet shpallja.

Në ndërkohë, klinikat nuk mund t’i realizojnë punësimet minimale. Shembull i tillë është Klinika Universale për sëmundje të fëmijëve, ku tanimë tre muaj nuk janë miratuar punësimet të të dy pediatreve, edhe pse kandidatët i kanë kaluar punësimet.

Përse u ndaluan 1117 punësimet?

Para një muaj e gjysmë të dy ministrat  nga Qeveria dhe ish kryeministri  Dimitar Kovaçevski deklaruan se 1117 persona të angazhuar me kontratë në vepër në shëndetësi do të punësohen përpara zgjedhjeve në pranverë.

Ky projekt tashmë është i ndërprerë. Zëvendës-ministrja e shëndetësië, Maja Manoleva nga LSDM, në konferencë për media tha se me vendim nga qeveria, punësimet e 1117 të punësuarve në shëndetësi janë siguruar, por, sipas saj janë bllokuar nga ana e zëvendës-ministrja shtesë e financave, Elena Petrova nga LSDM. 

Manoleva deklaroi se kjo është bërë disa ditë para shpalljeve së zgjedhjeve, “pa asnjë pikë përgjegjësie ndaj punonjësve të objekteve shëndetësore dhe pa një grimë shqetësim për pacientët”.

Petrova, ndërkaq, ka bërë të ditur se nga mbikëqyrja e dokumenteve ka konstatuar se “një pjesë e tyre i janë dorëzuar ministrit të Financave, Fatmir Besimi nga BDI në muajin dhjetor dhe janar, domethënë shumë më herët para formimit të qeverisë teknike dhe ai, nëse donte, ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i zgjidhur këto çështje”.

Petrova sqaroi se pa pëlqimin e ministrit Besimi nuk mund të realizohen punësimet.

Në ndërkohë, të 1117 personave u janë dhënë sërish kontrata të reja dhe do të vazhdojnë të punojnë për 12.000 denarë dhe pa sigurim shëndetësor.

“Pas zgjedhjeve, janë siguruar fondet nga Ministria e Financave, do të fillojë hapja e tenderëve për të mos shkelur rregullat ligjore dhe do të punësohen”, tha më 15 shkurt ministri i ri i Shëndetësisë, Ilir Demiri.

Nuk ka një numër të saktë sa mjekë janë larguar nga Maqedonia e Veriut. Të dhënat nga Oda e Mjekësisë janë se nga viti 2017 e deri më tani rreth 600 mjekë kanë kërkuar konfirmim se ndaj tyre nuk po zhvillohet asnjë procedurë në Gjykatën e Nderit të Odës. Ky konfirmim u duhet të gjithë atyre që shkojnë për specializim jashtë vendit, si dhe atyre që largohen përgjithmonë.

Sipas të dhënave të Sindikatës së Qendrës Klinike, megjithatë, nga 450 mjekë që marrin leje pune në vit nga dhoma, 430 marrin diploma të gjuhëve të huaja, që është tregues se shkojnë për të punuar në vende të tjera.