Investimi i harruar për Kodrën e Diellit, zyrtarët nuk e dinë se kur dhe a do të nënshkruhet marrëveshja

Edhe sivjet sezoni dimëror në Kodrën e Diellit përfundon pa nënshkrim të marrëveshjes mes Qeverisë së RMV-së me investitorin e interesuar italian “Techno Alpin”.  Për qendrën turistike në fjalë, projekti u prezantua para më shumë se një viti, por negociatat mes dy subjekteve nuk janë duke marrë epilog. Kryeministri teknik, Talat Xhaferi i pyetur nga Portalb.mk se çfarë po ndodh në negociata, deklaroi se ka disa pika kontestuese dhe se nuk mund të thuhet kur do nënshkruhet marrëveshja.

Portalb.mk pyeti Xhaferin se deri ku është procedura në Qeveri për nënshkrimin e marrëveshjes me investitorin italian për në Kodrën e Diellit që paralajmërohet një kohë shumë të gjatë, mirëpo fillimisht Xhaferi tentoi t’i shmanget përgjigjes.

“Marrëveshjet që nënshkruhen nuk i nënshkruan Qeveria, ka të autorizuar nga sfera e marrëveshjes. Tash pyesti për temë që as nuk e precizoni për çka ka të bëjë nënshkrimi i marrëveshjes, as si të të them”, tha Xhaferi.

Portalb: Tema është për investimin që u paralajmërua në Qeveri për Kodrën e Diellit nga kompania italiane TechnoAlpin, nuk kemi ende përmbyllje të negociatave.

Xhaferi: Ka institucion, subjekti në Kodrën e Diellit menaxhohet nga ndërmarrje publike, ka drejtorin e vet dhe deri ku është faza ata janë të autorizuar për ecurinë.

Portalb: Mirëpo negociatat bëhen në suaza të Qeverisë.

Xhaferi: S’ka problem kush i bën negociatat, nënshkrimi i fundit është i atij që është i autorizuar për të bërë nënshkrim, kështu që duhet të drejtoheni te drejtori për tua dhënë ma saktë përmbajtjen e asaj që është pjesë e kontraktimit edhe përgatitjeve për kontratën. Sa e di, kontrata ende nuk është e formalizuar në të gjitha pikat, ka tre katër pika kontestuese rreth kohëzgjatjes së koncesionit, rreth kompensimit, rreth mënyrës së menaxhimit, janë disa çështje për të cilat konkretisht ata duhet në aspekt profesional t’i debatojnë. Kur do të vijnë në përgjigje të saktë, të pranueshme juridikisht do mund të shkohet edhe me nënshkrim. Nuk mund të thuhet saktë kur do të jetë, ajo varet prej procedurës.

Nga ana tjetër, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk u përgjigjën në lidhje me këtë temë.

Kurse në informata janë të rezervuar edhe kompania italiane TechnoAlpin.

“Ende nuk jemi në gjendje të zbulojmë asnjë informacion. Për fat të keq nuk mund të japim asnjë parashikim për përfundimin e marrëveshjes”, thanë nga TechnoAlpin për Portalb.mk.

Kujtojmë që për herë të fundit Ministria e Mjedisit në dhjetor 2023 për Portalb.mk deklaroi se nga takimi që u mbajt në Ministrinë e Financave për këtë investim janë shqyrtuar dhe diskutuar të gjitha pikat e investimit të ofruar. Ku mes tjerash patën theksuar se bisedimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes së plotë dhe se nga aspekti mjedisor, investitori është njoftuar për vendndodhjen e saktë ku mund të ndërtohet qendra e skijimit dhe teleferiku (që çon deri në Kodër), në përputhje me ligjet”.

TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Kohë më parë, u formua ndërmarrje re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit me emër “Kodra e Diellit”.

Kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.

Sezoni i skijimit ishte i pasuksesshëm edhe këtë vit, skijim pati vetëm në rastet kur kishte borë të mjaftueshme, vetëm disa ditë.