RMV, mjekët e rinj morën dritë jeshile, do të nisin praktikën me pagesë që e prisnin prej muajsh

Pas tre muajsh pritje dhe vonesash burokratike, rreth 100 mjekë të rinj nisin praktikën me pagesë këtë javë. Pavarësisht se mbaruan studimet dhe dhanë provimin shtetëror në dhjetor, për muaj të tërë këta mjekë të rinj nuk u thirrën në asnjë institucion shëndetësor në vend për praktikën e detyrueshme që duhet të bëjnë nëse duan të vazhdojnë të përmirësohen, gjegjësisht që të regjistrohen në specializim, transmeton Portalb.mk.

Pas gjashtë vitesh studime të rregullta dhe gjashtë muaj përvojë pune për të dhënë provimin shtetëror, këta punonjës të rinj shëndetësorë u lanë në pritje dhe merak për të ardhmen e tyre. Ata çdo ditë trokisnin në dyert e institucioneve dhe prisnin përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, nga ku më herët njoftuan se kishin dërguar kërkesë në Ministrinë e Financave dhe prisnin përgjigje nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për shkak të periudhës parazgjedhore.

Mjekët e rinj u përgjigjën se problem shtesë është se specializimi regjistrohet në shtator dhe praktikisht, nëse nuk e nisin praktikën këtë muaj, do t’u hiqet e drejta për t’u regjistruar për specializim, sepse shtatori është saktësisht gjashtë muaj.

Beteja e tyre më në fund po jep frytet e tyre – Ministria e Financave ka firmosur pikën për miratimin e financimit që këta mjekë të fillojnë praktikën e tyre me pagesë. Me këtë, ata morën dritën jeshile për të filluar karrierën e tyre mjekësore.

“Pas një muaji konsultime dhe bisedime me institucionet kompetente dhe pas prezantimit tonë në media, Ministria e Shëndetësisë na njoftoi se rasti ynë është nënshkruar nga Ministria e Financave, gjegjësisht janë miratuar financat për fillimin e praktikës së paguar. Jemi mirënjohës për mbështetjen nga Ministria e Shëndetësisë duke dërguar kërkesën për zgjidhjen e problemit pas procedurës urgjente dhe të menjëhershme për shkak të situatës aktuale me qeverinë teknike”, thotë Ivana Baloska për Meta.mk.

Doktoresha Simona Georgievska, e cila ishte edhe në mesin e mjekëve të rinj që u përball me sfidë, thotë se presin që nga sot të thirren dhe të caktohen në institucionet shëndetësore. Tashmë Komisioni i Imunizimit ka kërkuar që disa prej tyre të nisin trajnimet në pikat e vaksinimit për shkak të epidemisë së kollës së mirë.

“Listat nga Ministria e Shëndetësisë janë dërguar në të gjitha qendrat shëndetësore në vend dhe presim që nga e hëna të thirren dhe të fillojë shpërndarja në qendrat shëndetësore”, thotë dr.Georgievska.

Dr. Ivana Baloska (majtas) dhe Dr. Simona Georgievska (djathtas)
Dr. Ivana Baloska (majtas) dhe Dr. Simona Georgievska (djathtas). Burimi i fotografisë: Meta.mk

Këta punonjës shëndetësorë thonë se janë të kënaqur me rezultatin e luftës së tyre, por i bëjnë apel Ministrisë së Financave që t’u japë miratimin kolegëve të tyre të cilët kanë dhënë provimin shtetëror në janar, në mënyrë që edhe ata të fillojnë praktikën me pagesë.

“Në të ardhmen kjo praktikë me pagesë duhet të organizohet në mënyrë më adekuate me fillimin e saj në kohë, duhet të motivojë edhe mjekët e rinj duke u ofruar mundësi punësimi, pagë adekuate, arsimim, progres, si dhe dëshirë për të qëndruar dhe zhvillim profesional në vendin tonë“, thotë dr.Baloska.

Ndërsa beteja e mundimshme po vazhdonte, mjekët e rinj reaguan se nëse nuk gjendej zgjidhje situata, do të detyroheshin të largoheshin nga vendi dhe të shkonin diku ku mundi dhe dija e tyre do të vlerësohej më shumë.