Praktika u takon me ligj, por nuk kanë ku të fillojnë, mjekët e rinj në RMV kërkojnë një zgjidhje për problemin

Pas gjashtë vitesh studime të rregullta dhe gjashtë muaj praktikë për dhënien e provimit shtetëror, ne jemi në agoni dhe merak për të ardhmen tonë. Ky është komenti i sotëm i përfaqësuesve të dhjetëra mjekëve të rinj që mbetën pa punë praktike nga shteti pas përfundimit të studimeve dhe dhënies së provimit shtetëror, transmeton Portalb.mk.

Ata presin tre muaj për t’u thirrur në praktikë me pagesë, të cilën Ministria e Shëndetësisë i detyron me ligj dhe i kushtëzon nëse duan të vazhdojnë shkollimin, pra të regjistrohen në specializim.

Mjekët e rinj reagojnë për faktin se prej muajsh nuk janë thirrur në asnjë institucion shëndetësor në vend për praktikën e detyrueshme që duhet të bëjnë. Ata shtojnë se janë nën stres, pasi specializimi regjistrohet në shtator dhe praktikisht, nëse nuk e nisin praktikën këtë muaj, u hiqet e drejta e regjistrimit në specializim sepse shtatori vjen për 6 muaj.

“Një pjesë e kolegëve e nisën praktikën me pagesë gjashtëmujore në Urgjencën e Ndihmës Mjekësore dhe në Shtëpitë Shëndetësore, ndërsa ne të tjerët jemi në pritje. Jemi çdo ditë në dyert e institucioneve dhe kërkojmë përgjigje se kur do të fillojmë praktikën me pagesë. Nuk kemi përgjigje dhe jemi në pritje. U takuam me punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrin Dr. Ilir Demiri. Pas takimit, Ministria e Shëndetësisë dërgoi kërkesa për procedurë të shpejtë dhe urgjente për të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave për rastin tonë. Mirëpo, ne jemi ende në pritje”, tha doktoresha Simona Gjorgievska, një nga përfaqësueset e mjekëve të rinj që sot u mblodhën para ndërtesës së Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata vërejnë një paradoks në sistemin shëndetësor të Maqedonisë së Veriut, i cili përballet me mungesë të mjekëve të rinj, ndërsa në të njëjtën kohë mjekët e rinj janë lënë në dhomat e pritjes së institucioneve për të marrë praktikën me pagesë që u takon me ligj.

“Nëse nuk gjendet zgjidhje për situatën tonë, fatkeqësisht ne do të jemi pjesë e padrejtësive të shumta që institucionet i bëjnë punonjësve shëndetësorë. Edhe pse e duam vendin tonë dhe duam të qëndrojmë këtu, do të detyrohemi ta lëmë atë dhe të shkojmë diku ku do të vlerësohet puna dhe dija jonë. Kërkojmë mbështetje nga kolegët dhe profesorët tanë, si dhe nga të gjithë profesionistët e tjerë shëndetësorë dhe qytetarët”, tha mjekja e re Ivana Baloska.

Ndërkohë, Komisioni për Imunizim kërkoi që disa nga mjekët e rinj të nisin praktikën në pikat e vaksinimit për shkak të epidemisë së kollës së keqe, por edhe kjo kërkesë aktualisht ka ngecur në një labirint institucional.

Pas grumbullimit të mjekëve të rinj para godinës, Ministria e Shëndetësisë përmes një deklarate për media tha se kanë vepruar sipas detyrimeve ligjore që mjekët e rinj të angazhohen në stacionet e vaksinimit dhe Urgjencën e Ndihmës Mjekësore në qendrat shëndetësore.

Nga aty thonë se për problemin ka njoftuar ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri në një seancë të Qeverisë, pas së cilës është dërguar kërkesë në Ministrinë e Financave dhe pritet përgjigje nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për shkak të periudhës parazgjedhore.

“Komisioni Kombëtar i Imunizimit rekomandon që mjekët e rinj të përfshihen sa më shpejt në procesin e imunizimit, pra mjekët që kryejnë praktikën e detyrueshme pas diplomimit”, thuhet në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Shëndetësisë.