Forcimi i ushtrisë dhe “operacioni special në Ukrainë” do të jenë prioritete, tha Putin në fjalimin e tij të fitores

Pas rezultatit të sigurt të zgjedhjeve treditore, presidenti i përsëri-zgjedhur i Rusisë, Vladimir Putin, mbajti një fjalim në të cilin falënderoi qytetarët e vendit për besimin e dhënë në zgjedhjet presidenciale të kësaj fundjave, të cilat shumë vende perëndimore i konsideruan as të drejta as të lira, transmeton Portalb.mk.

Duke falënderuar qytetarët, ai tha se fitorja e tij do t’i mundësojë vendit të përparojë.

“Ne kemi përpara detyra shumë specifike dhe të rëndësishme. Rezultati i zgjedhjeve nënkupton besimin e qytetarëve të vendit dhe shpresën e tyre se do të punojmë ashtu siç e kemi planifikuar. Dua t’ju falënderoj të gjithë ju, të gjithë qytetarët e këtij vendi për mbështetjen dhe besimin tuaj”, tha Putin në fjalimin e tij, i cili u prit me duartrokitje nga mbështetësit e tij duke brohoritur “Rusi, Rusi”.

Putin, në fjalimin e tij pas fitimit të mandatit të pestë presidencial, tha se do të forconte forcat e armatosura të Rusisë dhe do t’i jepte përparësi asaj që ai e quajti “operacionin special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë.

Ai tha se fitorja e tij tregon se rusët janë të bashkuar dhe nuk do të frikësohen, transmeton shërbimi kombëtar britanik.

“Sado që të përpiqen të na trembin, të na shtypin vullnetin, ndërgjegjen tonë, askush nuk ia ka dalë në histori. Ata dështuan tani dhe nuk do të kenë sukses as në të ardhmen”, u tha udhëheqësi i Kremlinit mbështetësve në selinë e tij zgjedhore.

Në një pjesë të fjalimit, presidenti rus kritikoi protestat “Mesdita kundër Putinit” të organizuara nga Yulia Navalny, e veja e liderit të opozitarit të vdekur papritur, Alexei Navalny, të cilat u zhvilluan në disa qytete ruse dhe para ambasadave ruse në disa vende të huaja.

Ai tha në një deklaratë për gazetarët se ra dakord për një marrëveshje për të shkëmbyer Navalnyn para se të vdiste në burgun e Arktikut. Kjo është, siç vëren BBC, hera e parë pas disa vitesh që Putin ka folur publikisht emrin e kritikut të tij më të ashpër.

Kremlini njoftoi dje vonë se lideri rus kishte siguruar një mandat tjetër gjashtëvjeçar, duke fituar 87 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale treditore.

Putin ka qeverisur Rusinë që nga viti 2000 dhe është lideri më jetëgjatë i Kremlinit pas diktatorit sovjetik Josif Stalin.

Përfaqësues zyrtarë të disa vendeve perëndimore kritikuan dje zgjedhjet në Rusi, duke thënë se ato nuk ishin as të lira dhe as të drejta.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti Putinin një diktator që është “i dehur nga pushteti”.