RMV, mbi një mijë të punësuarit në shëndetësi akoma në pritje të vendimit të punës, kërkojnë ndihmë nga kryeministri teknik

Sindikata e Klinikës dhe asaj Profesionale ka kërkuar nga Qeveria teknike në Maqedoninë e Veriut që të shndërron kontratat e punës nga afati i caktuar në afat të pacaktuar, raporton MIA. Një gjë e tillë po pengohet nga zëvendësministrja plotësuese e financave që vjen nga VMRO-DPMNE, sipas zëvendësministres së shëndetësisë, Maja Manoleva.

“Kërkojmë rritje pagash në të gjitha profilet. Kërkojmë takim me kryeministrin teknik për shndërrimin e kontratave nga në kohë të caktuar në kohë të pacaktuar, zgjidhje për kaosin në parkingjet në kampusin ‘Nënë Tereza’, tha ndër të tjera Serafimovski. 

Edhe pse personat të cilët punojnë me kontrata nuk janë pjesë e sindikatës, siç tha Serafimovski, sindikata i mbështet. Shërbimi juridik i sindikatës, siç shtoi, e kanë në dispozicion për ndihmë juridike.

“Më lejoni t’ju kujtoj, Qeveria ka ofruar zgjidhje për statusin e shumicës së të punësuarve në shëndetësi me kontratë në vepër dhe në kohë të pacaktuar. Me vendim të Qeverisë është siguruar punësimi i 1.117 personave në sektorin e shëndetësisë. Por, këto punësime janë bllokuar nga zëvendësministrja plotësuese e Financave, Elena Petrova, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, pa ndonjë arsye të veçantë, pa asnjë grimë përgjegjësi ndaj punonjësve në institucionet shëndetësore dhe pa një grimë kujdes ndaj pacientëve që kanë nevojë për kujdes profesional. Kjo nuk mund të lejohet”, nënvizoi Manoleva.

Ajo theksoi se kjo jo vetëm që është e papërgjegjshme, por është edhe e rrezikshme për shëndetësinë tonë, për qytetarët dhe për të punësuarit në sistemin shëndetësor. 

Shpreh shqetësim serioz për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të zëvendësministres plotësuese të Financave nga VMRO-DPMNE, Elena Petrova, e cila e bllokon procesin e punësimit të 1.117 personave në shëndetësinë publike, deklaroi Manoleva. 

Ajo theksoi se askush, veçanërisht jo funksionarë në pushtetin ekzekutiv, nuk guxojnë të luajnë me fatin e 1.117 punonjësve të rinj shëndetësorë dhe të përfaqësojnë pengesë kryesore në punën e institucioneve shëndetësore. 

Ndryshe, deri më tani vetëm në dy institucione shëndetësore janë publikuar shpallje për transformimin e marrëdhënies së punës. Nga fundi i vitit të kaluar, autoritetet ekonomike njoftuan se ky problem me profesionistët e lirë do të zgjidhej përgjithmonë dhe premtuan punësim të përhershëm për mbi dy mijë punëtorë shëndetësorë.

Ndryshe, mjekët edhe para disa muajve kishin reaguar në lidhje me statutin e tyre të punësimit përmes kontratës, ndërkohë kishte edhe kërkesa për rritjen e rrogës për 30 përqind.