Gjykata Kushtetuese më 2 dhjetor do të zgjedhë kryetarin e ri
Në seancën e Gjykatës Kushtetuese, e cila është caktuar të mbahet më 2 dhjetor, do të zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës. Për këtë njoftuan sot nga Gjykata Kushtetuese, duke bërë të ditur se kryetari aktual, Darko Kostadinovski, në një kolegjium të mbajtur më 2 nëntor, i kishte informuar gjyqtarët për dinamikën e takimeve dhe seancave të planifikuara, transmeton Portalb.mk.
Ndër temat e paralajmëruara ishte edhe zgjedhja e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, në seancën që do të mbahet më 2 dhjetor.
Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese zgjat tre vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, ndërsa ai zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës. Kostadinovski në këtë funksion u zgjodh më 4 qershor 2024, ndërsa paraprakisht, më 11 janar 2018, ishte zgjedhur gjyqtar kushtetues.
Në përputhje me Kushtetutën, mandati i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zgjat nëntë vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Në rastin e Kostadinovskit, meqë ai është pjesë e Gjykatës Kushtetuese që nga janari i vitit 2018, me përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar në janar të vitit 2027, automatikisht përfundon edhe funksioni i tij si kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski ishte zgjedhur gjyqtar kushtetues me propozim të presidentit të atëhershëm të shtetit, Gjorgje Ivanov.