RMV, Lëvizja Vetëvendosje iu bashkëngjit Lidhjes Evropiane për Ndryshim

Dje, më 24 dhjetor në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyrës së përbashkët të koalicionit. Në hapjen e zyrës morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti, transmeton Portalb.mk.

“Më gëzon fakti që në këtë ditë të bukur, frontit tonë opozitar iu bashkëngjit edhe Lëvizja Vetëvendosje, dhe pas ndryshimit në Kosovë dhe Luginë, bashkërisht do e sjellim ndryshimin e shumëpritur edhe tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, tha mes tjerash Izet Mexhiti.

Bilall Kasami nga ana tjetër, para të pranishmëve theksoi se qeverisja me ta do të jetë ndryshe.

“Qeverisja me ne, siç jemi edhe sot në këtë zyre në vend kaq frekuent, në mesin tuaj, kështu do ta bëjmë bashkë me ju edhe qeverisjen, duke shkuar ne te qytetarët për të qenë sa më afër që të zgjidhim hallet dhe nevojat e qytetarëve”, tha Kasami.

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi shtoi se 8 maji përfundimisht do të sjell pranverën te shqiptarët dhe gjithë “bashkërisht në këtë zyre do ta festojmë fitoren e madhe”.

Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti mes tjerash tha: “Lëvizja Vetëvendosje po bëhet shtylla e katërt e këtij fronti opozitar për të sjellur ndryshimin e shumëpritur në Maqedoninë e Veriut. Këtu sot po flas edhe si ish-anëtar i Aleancës për Shqiptarët, duke e ditur mentalitetin dhe frymën e strukturës së kësaj partie, i ftoj të bëhen pjesë e këtij koalicioni fitues që ta bëjmë ndryshimin e madh bashkë”.

Ndryshe, kjo zyre do të jetë e hapur për çdo qytetarë dhe si i tillë do të shërbej si pikë e organizimit të aktiviteteve të Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

Lidhur me këtë koalicion, ka komentuar kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai ka thënë se duhet shpjeguar se si partia e Albin Kurtit do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni në vitin 2024.

Kujtojmë se Lidhja Evropiane për Ndryshim ka shtatë deputetë, tre nga Alternativa, tre nga grupi i Izet Mexhitit dhe një nga Lëvizja Besa.

Këto tre parti kanë paralajmëruar se do të shkojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.