LEN-i paralajmëroi bojkotim të Kuvendit, në rast se nuk votohet kandidati i tyre për anëtar në KSHZ

Lidhja Evropiane për Ndryshim paralajmëroi se do të bojkotojë Kuvendin, në rast se nuk votohet kandidati i tyre i propozuar për anëtarë të KSHZ-së, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, që është edhe pjesë e Lidhjes Evropiane për Ndryshim, tha se si opozitë kërkojnë prej shumicës parlamentare që deri në fund të këtij vit ta votojë kandidatin e tyre të propozuar për anëtar të KSHZ-së. Në rast se shumica parlamentare nuk respekton këtë ultimatum, opozita do të bojkotojë Kuvendin por edhe sop tha Gashi, janë të gatshëm të ndërmarrin edhe masa më radikale, të cilat do t’i shqyrtojnë më tej.

“Nëse shumica nuk e voton anëtarin e KSHZ-së që e kemi propozuar ne, që na takon me ligj, ne do ta bojkotojmë Parlamentin, andaj nuk bëhet fjalë ne çfarë do të bëjmë në Parlament pas një janarit, është shumë me rëndësi ta kuptojë shumica edhe faktori ndërkombëtar edhe qytetarët që nuk guxojnë të luajnë me anëtarin e KSHZ-së dhe me procesin zgjedhor, për shkak se kështu thyhet principi bazë i zgjedhjeve të barabarta dhe fer”, tha Gashi.

Kujtojmë se, për anëtar të KSHZ janë paraqitur dy kandidatura – Abdush Demiri nga koalicioni i opozitës shqiptare, Lidhja Evropiane për Ndryshim dhe Zulfi Adili nga Partia Demokratike Evropiane, kryetar i së cilës është Arianit Hoxha.

Komisioni për zgjedhje dhe emërime përcaktoi listën prej pesë kandidatësh nga të cilët duhet të zgjidhet anëtari i KSHZ-së, përkatësisht – Berat Dauti, jurist i diplomuar nga Tetova, Abdush Demiri, ekonomist i diplomuar nga Tetova, Robert Trajkovski, magjistër në paqe dhe zhvillim nga Kumanova, Zulfi Adili, jurist i diplomuar nga Shkupi dhe Samir Rakipi, jurist i diplomuar nga Tetova.

Anëtari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve zgjedhet me shumicë prej dy të tretave.

Pas emërimit të Krenar Llogës për ministër të Drejtësisë është liruar një vend në KSHZ.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi më 14 dhjetor te kryetarët e partive opozitare shqiptare Izet MexhitiAfrim GashiBilall KasamiArjanit Hoxha dhe Skender Rexhepi Zejd e dërgoi Raportin e Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve me listë të vërtetuar të kandidatëve për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Ata deri më 18 dhjetor kanë pasur mundësi të dërgojnë kandidatët për anëtar të Komisionit.

Kujtojmë se partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, poashtu e mërkurë.