RMV, Konfederata e Sindikatave të Lira në protestë për ndryshimet në Ligjin për nëpunësit administrativ

Konfederata e Sindikatave të Lira ka dalë në protestë para Kuvendit. Ata akuzojnë se disa nga deputetët po tentojnë në mënyrë kontrabandiste pa debat publik të kalojnë ndryshimet në Ligjin për nëpunësit administrativë, me të cilat, siç thonë ata, u shkurtohet e drejta e rregullimit të pagave për vitin 2024. Kontradikta është edhe në marrëveshjen e përgjithshme kolektive të nënshkruar vitin e kaluar, veçanërisht nenet 13 dhe 14, transmeton Portalb.mk.

Në protestë dolën edhe deputetë nga VMRO-DPMNE, të cilët theksuan se procesi i miratimit të ligjit nuk është gjithëpërfshirës dhe se në këtë mënyrë për reforma në administratën publike do të na duhen 306 vite.

Nga KSL theksojnë se duhen reforma, por jo siç thonë në mënyrë kontrabandiste, siç bëjnë deputetët e strukturës në pushtet.

Sipas KSL-së, jo më pak i rëndësishëm është fakti se këto tekste ligjore nuk e kaluan filtrin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), i cili duhej të jepte rekomandime për nepotizëm dhe ndikim politik në rekrutimin e punonjësve në Sektori publik.

Pesë propozim-ligjet për reforma në administratën publike dhe transformim digjital të cilat janë miratuar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kanë kaluar leximin e parë në Kuvend, presin që të caktohen seancë për leximin e dytë në Komisionin për Çështje Evropiane, ku kryetar i Komisionit është Arbër Ademi. Ligjet janë dorëzuar në Kuvend me flamur evropian dhe janë me procedurë të shkurtër.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut vitin e kaluar mori “karton të verdhë” apo notë 3 për fushën e reformave në administratën publike nga Komisioni Evropian. Shumica e ligjeve të shumëpritura me vite për çështjen e digjitalizimit, shërbimeve elektronike, meritokracinë, punësimet, u finalizuan dhe miratuan në qeveri, por nuk janë votuar ende në Kuvendin i cili ka mandat deri në pranverë. Në udhëkryq ka mbetur ligji për drejtorë profesional, i cili do të duhet ta rregulloje procedurën që zgjedhja e udhëheqësve të bëhet sipas kritereve përkatëse dhe jo në bazë të koalicioneve mes partive.

Viti 2024 është vit i zgjedhjeve dhe nuk dihet se cila parti do të udhëheqë me resorin e MSHIA-së. Qasja ndaj reformave në administratës publike, do të varet edhe nga vullneti i partive se në çfarë drejtimi do t’i zhvillojnë ose jo reformat.