Protestojnë edukatoret dhe përkëdhelëset në Strugë, Merko emëroi drejtoreshë të re

Sot u emërua drejtoresh e re në çerdhen e qytetit në Strugë përderisa një pjesë e stafit është në protestë. Plot 21 edukatore dhe përkëdhelëse të cilat punojnë në dy objektet e çerdhes së qytetit në Strugë sot protestuan duke mos hyrë nëpër klasat e tyre. Bëhet fjalë për të punësuara me kontratë në vepër të cilat paguhen vetëm 10 000 denarë në muaj, pa asnjë beneficion social dhe pushim pa pagesë gjatë janarit, korrikut, gushtit dhe shtatorit. Revoltën e stafit për të dal në protestë e shtoi lajmi se nga shkurti paga e tyre do të ulet në 5 000 denarë, shkruan Portalb.mk.

Pas 1 muaji pushimi pa pagesë 21 edukatore dhe përkëdhelëse në dy objektet e çerdhes së qytetit, “Dielli” dhe “Flutura” në Strugë sot nuk u kthyen në vendin e punës në shenjë proteste që të rregullohet statusi i punës dhe të përmirësohen kushtet në çerdhe.

Prindërit janë njoftuar se fëmijët e tyre mundet ti dërgojnë në çerdhe megjithatë është e pamundur që grupet e stërmbushura të mbahen vetëm nga një person, qoftë edukatore apo përkëdhelëse. Protesta e punonjësve të çerdhes u paralajmërua para një jave pasi revolta e tyre arriti kulmin nga njoftimi se paga e tyre nga muaji shkurt do të shkurtohen nga 10.000 denarë5.000 denarë për të gjithë edukatoret dhe përkëdhelëset të cilat punojnë me kontratë në vepër.

Edhe pse punojnë me orar të plotë në një institucion shtetëror të punësuarve me kontratë në vepër nuk ju takon asnjë benefecion social madje ato kanë të detyrueshëm pushim pa pagesë 4 muaj në vit. Ka edukatore të cilat punojnë pa asnjë ditë stazh pune për rreth 7 vite me shpresë në premtime boshe se një ditë do ju rregullohet statusi i punës.

“Ne jemi të vendosura që nga 1 shkurti të mos pranojmë fëmijë dhe në këtë mënyrë dhe publiku do e kuptojë rëndësinë e punës tonë. Në objektin “Flutura” gati se i gjithë stafi është me kontratë. Çerdhet e kanë të pamundur të funksionojnë pa ne”, deklaroi për Portalb.mk Vesna Markoska, edukatore në objektin “Diellli”.

Ramiz Merko emëroi drejtoreshë të re në çerdhen e qytetit

Sanja Srbovska u emërua sot drejtoreshë në çerdhen e qytetit në Strugë nga kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko. Në një prononcim për Portalb.mk  drejtoresha e re thotë se gjëja e parë që ka bërë është se ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme për koleget e saj duke shtuar se fëmijët janë prioriteti i tyre.

“Siç e përmendët në pyetjen tuaj, unë jam drejtoresh e re. Fëmijët janë prioriteti ynë – kujdesi, edukimi dhe formimi i tyre si individë. E kam zbuluar këtë situatë të punëtorëve me kontratë dhe menjëherë kam kontaktuar Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Komunën e Strugës për zgjidhjen e problemit. Sapo të gjejmë një zgjidhje do të njoftoheni”, deklaroi Sanja Koleska Srbovska, drejtoresh e re në çerdhen e qytetit në Strugë.

Fakt është se çerdhja në Strugë është e mbingarkuar dhe se grupet e fëmijëve janë shumë herë më të larta mbi numrin e një grupi të paraparë me ligj. Aktualisht në çerdhen e Strugës janë të regjistruar rreth 500 fëmijë ndërkohë 500 të tjerë janë në listë të pritjes për tu regjistruar.

Nevoja për shtimin e burimeve njerëzore dhe hapësirave të reja për nevojat e qytetarëve struganë deri më sot nuk është marr seriozisht nga asnjë institucion shtetëror, qoftë lokal apo qendror. Ministria për Punë dhe Politika Sociale është institucioni përgjegjës për miratimin e vendeve të reja të punës nëpër çerdhet e vendit, edhe pse në prill të vitit të kaluar ish drejtoresha e çerdhes kërkoi të bëhen punësime të reja kjo Ministri e refuzoi kërkesën. Duke mos mundur të gjejë zgjidhje për rregullimin e statusit të punës për 21 të punësuarat drejtoresha paraprake e çerdhes, Juliana Lozhankoska, dha dorëheqje në fillim të janarit.

Protesta është përkrahur edhe nga prindërit edhe pse ato direkt ndikohen nga bllokimi i çerdhes. Prindërit shprehen të tronditur nga lajmet se edukatoret që kujdesen për fëmijët e tyre paguhen aq pak dhe mendojnë se kjo ndikon shumë në qasjen e stafit ndaj fëmijëve.

“Është vërtetë për të ardhur keq. Shpresoj që të merret vendi i duhur dhe ato të kthehen në vendin që e meritojnë”, u shpreh një nënë.

“Shpresojë se ky problem do të zgjidhet sa më shpejt. Ne si prind i përkrahim edukatoret që të luftojnë për të drejtat e tyre deri sa ta marrin atë që e meritojnë. Ato bëjnë vërtet një punë shumë të madhe”, u shpreh një nënë tjetër.

“Pa dyshim se e kanë mbështetjen tonë, nuk është normale ajo që po ndodh. Jam shokur kur kam marr vesh se për punën që bëjnë paguhen vetëm 10 000 den”, tha një nënë tjetër.

Portalb.mk edhe më herët ka raportuar për nevojën e madhe për hapjen e hapësirave të reja por edhe shtimin e burimeve njerëzore në çerdhen e qytetit në Strugë. Sa i përket kësaj teme në çdo fushatë zgjedhore ka pasur shumë premtime e zotime megjithatë me vite të tëra premtimet kanë mbetur vetëm në letër.

Për më tepër lexo:  Premtimet elektorale për hapjen e çerdheve në Strugë vazhdojnë të mbeten vetëm në letër