RMV, kompanitë energjetike kërkojnë rrymë më të shtrenjtë, rregullatori ende po llogarit harxhimet

Kompanitë energjetike kërkojnë që të rritet kostoja e rrymës, por rregullatori mendon se kjo nuk duhet të ndodhë për momentin. Kriza energjetike i dha një goditje të rëndë ekonomive familjare për sa i përket buxhetit të tyre, ndaj nuk duhet menduar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, tha kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski për Televizionin 24. Për të mos pasur energji elektrike më të shtrenjtë, duhet të përdoret energjia e marrë nga fotovoltaikët, transmeton Portalb.mk.

“Tani nuk është koha dhe nuk ka nevojë të rritet çmimi i energjisë elektrike, për faktin se kemi kaluar një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Të gjitha burimet e brendshme ishin në dispozicion, u hap hapësira edhe për ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike. Fakt është se gjatë ditës ne gjithmonë kemi çmime të energjisë elektrike në treg më shumë se dy herë më të ulëta se çmimet në pjesën tjetër të ditës”, thotë Bislimovski.

Situata me çmimin e rrymës është edhe më e paqartë sepse EMV-ja shtetërore ende nuk i ka dorëzuar kalkulimet në qeveri, nga të cilat ministrat përgjegjës për politikat ekonomike duhet të vendosin se me çfarë çmimi do të shkojnë në tenderin e EVN Home për prokurimin e energjisë elektrike për Furnizuesin Universal për qytetarët.

Në një bisedë telefonike nga EMV shkurtimisht njoftuan se ende janë duke bërë llogaritë dhe dokumentacionin do ta dërgojnë në Ilindenska numër dy më së voni në fillim të javës së ardhshme.

“Çmimi përfundimtar nuk është dërguar në qeveri. Llogaritjet përfundimtare janë duke u bërë. Ne përpiqemi të ofrojmë çmim sa më të ulët të jetë e mundur.”

Qeveria dje konfirmoi për TV 24 zërat në opinion se ka mundësi që çmimi i EMV të jetë 70 euro për megavat orë, dhe sipas rregullatorit kjo mund të jetë e pavolitshme sepse vetëm mbi këtë bazë çmimi do të rritej me mbi 10 për qind. MEMO kërkon 80 për qind rritje të çmimit, por pjesa e tyre në çmimin përfundimtar është vetëm 0.5 për qind, pastaj MEPSO kërkon 50 për qind rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe pjesa e tyre në çmim është rreth pesë për qind, ndërsa për Elektrodistribucija, ata kërkojnë rritje prej 30 për qind, por pjesa e tyre është pak më shumë se 30 për qind.

Sipas Ligjit për energjetikë, për gjashtë muajt e ardhshëm obligim i EMV-së është që të sigurojë 50 për qind të energjisë elektrike të nevojshme për amvisëritë, por qeveria tha se do të përpiqet të sigurojë të gjithë energjinë elektrike për amvisëritë dhe të reduktojë importin në minimum. Për momentin, nuk ka një periudhë specifike nga kur deri në çfarë kohe do të kthehej tarifa e lirë ditore.