Bytyqi: TVSH-ja për energjinë elektrike gradualisht do të kthehet në 18 përqind
Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë elektrike do të rritet gradualisht, do të marrim një vendim deri në fund të qershorit, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, mëngjesin e sotëm në emisionin e TV Telma, transmeton Portalb.mk.
“Norma e TVSH-së 10% për energjinë elektrike gradualisht do të kthehet në 18%, analizat janë drejt fundit”, tha Bytyqi.
Ai ka shpjeguar se EMV i propozon EVN Home dhe më pas Komisioni Rregullator do të marrë vendim, i cili pritet të bëhet i ditur në fund të qershorit.
“Kemi një muaj e gjysmë përpara dhe nuk varemi vetëm nga prodhuesit vendas të energjisë elektrike. Ashtu siç ishte një vit e gjysmë i fundit, kështu do të vazhdojë dhe vendimet do të jenë në favor të qytetarëve”, thotë Bytyqi.
Kujtojmë se TVSH-ja gjatë vitit 2022 ishte 5% dhe më pas u rrit në 10%. 5% ishte një masë e qeverisë që synonte përballimin e krizës energjetike, ndërsa u ndryshua, kur u panë përllogaritjet e reja se ka vend që të kthehet në 10%, pa ndikuar në çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe për konsumatorët e vegjël.