RMV, përfundoi sezoni i ngrohjes, nëse temperaturat bien nën 12 gradë, sistemi do të ndizet sërish

Sot përfundon sezoni i ngrohjes, por nëse ka nevojë dhe bien temperaturat e jashtme, sistemi i energjisë termike do të ndizet sërish, njoftoi Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE), transmeton Portalb.mk.

KRRE shton se deri në fund të muajit prill, duke qenë se po vjen një periudhë kalimtare, do të njoftojnë ngrohtoret në baza ditore nëse janë krijuar kushtet që sistemi të ndizet.

Sipas rregullave të furnizimit dhe nenit 45, KRRE thotë se sa herë që temperatura e parashikuar është 12 gradë ose më e ulët, jepet urdhër që janë krijuar kushtet për fillimin e prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji termike për konsumatorët tariforë.

Për nesër, sipas të dhënave të marra nga Drejtori për Punë Hidrometeorologjike (DPH), KRRE thotë se nuk ka kushte për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me energji termike për konsumatorët tariforë sepse temperatura mesatare ditore e parashikuar në Shkup do të jetë 19 gradë.