RMV, filloi viti i ri shkollor, do të zgjasë deri më 17 qershor dhe do të ketë një javë pushim pranveror

Për mbi 200 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, sot nisin vitin shkollor 2023/2024, i cili për herë të parë në vend të 10 qershorit do të përfundojë më 17 qershor. Përveç pushimit dimëror, nxënësit do të kenë edhe pushim pranveror, nga data 29 prill deri më 5 maj 2024, transmeton Portalb.mk.

Sipas Konceptit për arsimin bazë, i cili aplikohet gradualisht nga viti 2020, në këtë vit shkollor nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta do të mësojnë sipas planprogrameve të reja, por tekstet nuk janë ende gati. Derisa tekstet të shtyoen, do të ketë materiale plotësuese për klasat 3 dhe 6, të zhvilluara nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit, të destinuara si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, dhe të disponueshme në formë elektronike në ueb-faqen e Byrosë.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dje ka njoftuar se do të ketë vonesë vetëm për tekstet e klasës së gjashtë që janë në fazë miratimi dhe pret që ato të dorëzohen gjatë muajit shtator.

“Tekstet për klasën e tretë janë miratuar dhe procedura për shtypjen dhe dorëzimin është në proces. Të gjitha lëndët janë miratuar dhe janë në fazën e rregullimit tekniko-grafik dhe printimit. Kështu që sot, nesër, në fillim të javës do të dorëzohen vazhdimisht. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me tekstet e klasës së gjashtë, të cilat janë në fazë të avancuar miratimi nga Komisioni Kombëtar i Teksteve. Pastaj mund të ketë procedurë ankimore nga autorë të caktuar, por deri në fund të shtatorit do t’u dorëzohen të gjithë nxënësve”, tha Shaqiri dje në konferencën për media me rastin e vitit të ri shkollor.

Krahas pushimeve pranverore dhe vitit të zgjatur shkollor, risi është edhe përdorimi i një ditari të ri elektronik, të zhvilluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes fondeve IPA. Është në fazën e testimit dhe, siç tha Shaqiri, paralelisht po bëhet trajnimi i administratës në 40 shkolla në të cilat do të aplikohet si pilot projekt derisa të konfirmohet funksionaliteti i tij.

Kujtojmë se në prag të vitit të ri shkollor u prezantuan risitë në arsim rezultat i Konceptit të ri për arsimin fillor, i cili u prezantua si një reformë e madhe arsimore në vitin 2020, me iniciativën dhe në kohën kur ministre e arsimit dhe shkencës ishte Milla Carovska. Vitin e kaluar, pikërisht një vit pas zbatimit të Konceptit, përgjegjësit e Byrosë konstatuan se nxënësit mendojnë në mënyrë më kritike se më parë, por në shkolla mungojnë pajisjet për realizimin adekuat të aktiviteteve të parapara në planprogramet e reja mësimore.

“Te klasat e para dhe të katërta ende ka klasa që nuk janë mjaftueshëm të pajisura me pajisjet, mjetet dhe materialet e nevojshme për zbatimin e duhur të planprogrameve të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor. Nga ana tjetër, detyrat që i japin mësimdhënësit për nxënësit zakonisht janë sfidë, të cilat e nxisin mendimin kritik dhe analizimin e situatave të dhëna”, kanë konstatuar këshilltarët e Byrosë vitin e kaluar.