Rusia organizon zgjedhje lokale në rajonet e pushtuara të Ukrainës, të cilat Kievi i konsideron të paligjshme

Autoritetet pro-ruse kanë filluar mbajtjen e zgjedhjeve rajonale në pjesë të Ukrainës që Rusia vitin e kaluar i shpalli si të vetat në një përpjekje për të çimentuar kontrollin e Moskës në të ashtuquajturat territore të reja, pavarësisht nga lufta në vazhdim. Rusia nuk kontrollon plotësisht katër rajonet ku po zhvillohen zgjedhjet, Donetsk, Luhansk, Zaporozhye dhe Kherson, të cilat së bashku me Krimenë e aneksuar përbëjnë pothuajse një të pestën e Ukrainës, transmeton Portalb.mk.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se zgjedhjet janë të paligjshme dhe tregojnë pse është e pamundur të ketë ndonjë bisedë paqeje me Moskën derisa forcat ruse të tërhiqen nga territori ukrainas.

Në të katër rajonet, guvernatorët e emëruar nga Moska, duke përfshirë politikanë pro-rusë me përvojë, po kërkojnë mandat të plotë në zgjedhjet që përfundojnë më 10 shtator, kur zgjedhjet rajonale do të mbahen edhe në Rusi. Guvernatorët kanë dalë në zgjedhje me bekimin e Putinit, pasi iu bashkuan partisë së tij “Rusia e Bashkuar” muajt e fundit, kështu që ata nuk do të kenë asnjë opozitë formale.

Shumë banorë u larguan nga territoret e pushtuara, të cilat pësuan disa nga shkatërrimet më të rënda të luftës.

Ish-kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadim Boychenko, tha se njerëzit nga qyteti i thanë se nuk kishte lista zgjedhore dhe lista të kandidatëve.

“Është e qartë se njerëzit nuk kanë besim në të gjithë procesin dhe se këto zgjedhje janë të falsifikuara. Zyrtarët rusë do të shkojnë nga një banesë në tjetrën, të shoqëruar nga ushtarë të armatosur dhe do t’u thonë njerëzve se duhet të votojnë”, tha Boychenko.