Prindërit e nxënësve të klasës së parë në RMV do të duhet të ndajnë mesatarisht 200 euro për fillimin e vitit shkollor (Infografik)

Para fillimit të vitit shkollor prindërit e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme i përgatisin fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor. Më të emocionuarit janë nxënësit e klasës së parë, të cilët në bankat e shkollës do të ulen për herë të parë, transmeton Portalb.mk.

Sa do t’u kushtojë prindërve fillimi i vitit të ri shkollor? Meta.mk analizoi çmimet nëpër librari dhe çmimet e rrobave, të cilat normalisht ndryshojnë dhe varen nga cilësia dhe marka, por ne definuam çmimet mesatare që prindërit duhet t’i paguajnë për t’i përgatitur fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.

Dizajni: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Dizajni: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çmimet e çantave të shpinës fillojnë nga 800 denarë dhe shkojnë deri në 3.000 dhe 4.000 denarë. Megjithatë, në vend se nëpër librari, çantat e shpinës dhe materialet e tjera të nevojshme prindërit mund t’i blejnë edhe në tregje ku çmimet e tyre janë më të ulëta. Por, nëse i bëjmë bashkë në një grup atletet, tutat dhe rrobat e tjera të nevojshme, prindërit do të duhet të ndajnë mesatarisht rreth 6.000 denarë.

Pajisjet shkollore janë diçka që gjithashtu duhet blerë në fillim të vitit shkollor. Në libraritë e Shkupit çmimet e materialeve dhe pajisjeve ndryshojnë varësisht nga prodhuesi. Për shembull, një laps i Faber Castel kushton 45 denarë, ndërsa një laps i Junior kushton 10 denarë. Nëse i shikoni çmimet e fletave për vizatim, ato sillen nga 60 deri në 120 denarë, fletoret me format A4 kushtojnë mesatarisht nga 50 denarë, lapsat me ngjyrë 200 denarë, bojëra akrilike i gjeni edhe nga 350 denarë, ngjyrat e ujit 150 denarë, ndërsa lapsat prej druri me ngjyrë janë nga 150 denarë e më shumë.

Mprehëset dhe gomat mund të gjenden edhe nga 20 denarë, por edhe me çmim më të lartë, gërshërët edhe nga 40, por edhe nga 80 denarë, kutitë për lapsa dhe stilolapsa janë nga 250 denarë, por ka edhe nga 750 denarë. Çmimi mesatar i një çantë shpine shkollore është 1.500 denarë, ndërsa ai ndryshon në varësi të madhësisë, modelit dhe prodhuesit.

“Vitin e kaluar kisha fëmijën në klasë të parë. Në fillim të vitit shkollor dhamë rreth 2.000 denarë për materiale. Atletet dhe tutat, por edhe disa rroba të tjera kushtuan rreth 6.000 denarë, sepse i blemë me zbritje, por disa na i bënë dhuratë. Për çantë shpine, mjete shkollore, shishe uji dhe kuti për ushqimin shpenzuam 3.500 denarë. Në fillim të vitit shkollor dhamë edhe nga 500 denarë shtesë për materiale shkollore”, thotë nëna e një filloristi.

Zakonisht, pas fillimit të vitit shkollor prindërve ju jepet një listë me gjërat e nevojshme që duhet t’i blejnë, e të cilat do t’u nevojiten fëmijëve për të punuar gjatë mësimit të paraparë sipas planprogramit të lëndëve nëpër shkolla.

Ajo që prindërit nuk e blejnë janë tekstet shkollore. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dje informuan se nxënësit e klasave të para, të dyta, të treta, të katërta dhe të pesta në fillim të vitit të ri shkollor do të marrin tekste të reja në të gjitha lëndët. Në klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë do të përdoren tekste tashmë të miratuara nga vitet e kaluara, ndërsa tirazhi do të plotësohet me komplete të reja të shtypura në pajtim me numrin që e kanë raportuar vetë shkollat ​​që në muajin maj.