RMV, është publikuar draft versioni final i Projektligjit për aksion klimatik

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka publikuar draft versionin përfundimtar të Projektligjit për aksion klimatik, akt i shumëpritur ligjor që duhet t’i japë vendit udhëzim dhe të përcaktojë synime në përpjekjet e tij për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë, si dhe për përshtatjen dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut ka vendosur synime të larta duke pranuar detyrimet e Marrëveshjes së Parisit, e cila parasheh vazhdimin e përpjekjeve për kufizimin e rritjes së temperaturës në 1.5 gradë mbi nivelet para-industriale, si dhe mbështetjen e angazhimeve për një Evropë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050 dhe e përkushtuar për të dhënë kontribut.

Ligji për aksion klimatik parashikon detyrime të reja për organet shtetërore dhe pushtetet lokale, prezanton formimin e organeve të reja me funksione të reja, si dhe një taksë të re – taksë karbonit. Institucionet shtetërore do të duhet të formojnë një strukturë institucionale për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve të gazeve serrë, si dhe një Trup Koordinues Kombëtar për të gjitha masat dhe politikat e aksionit klimatik në vend.

Në të ardhmen, komunat do të duhet të integrojnë dokumente planifikuese si LEAP-et dhe Programet e efikasitetit energjetik dhe të harmonizojnë të gjitha politikat lidhur me energjinë dhe klimën me Strategjinë e Veprimit për Klimën dhe Planin e Integruar të Energjisë dhe Klimës.

Ligji për aksion klimatik vendos edhe një taksë të re që do të duhet të aplikohet dhe e cila nëse nuk do të ishte përcaktuar me këtë ligj, do të na ishte vendosur nga Bashkimi Evropian përmes eksportit të produkteve tona. Bëhet fjalë për taksën e karbonit, një taksë ekologjike që duhet të jetë një mënyrë efektive për të luftuar ndryshimet klimatike dhe një nxitje për zhvillimin me karbon të ulët të vendit dhe shtytje për kompanitë që të përdorin më pak lëndë djegëse fosile në prodhim.

Publikimi i draft versionit përfundimtar është një hap më pranë miratimit të një prej ligjeve më të rëndësishme që pritet prej disa vitesh. Në shtator 2021, qeveria miratoi Strategjinë e parë të Veprimit Afatgjatë Klimatik të Maqedonisë së Veriut, e cila përcakton rrugën drejt zhvillimit të gjelbër, me karbon të ulët dhe rezistent ndaj klimës së vendit. Miratimi i dokumentit pasoi dorëzimin e kontributit kombëtar të rishikuar në Marrëveshjen e Parisit.

Për Ligjin e aksionit klimatik flitet që nga viti 2020 dhe njoftimet fillestare se do të paraqitej para deputetëve në Kuvend ishin në vitin 2021, por më pas u shty disa herë. Një nga arsyet ishte harmonizimi dhe përshtatja e zgjidhjeve në nivel kombëtar me rregulloren e re të BE-së në vitin 2022. Miratimi i ligjit kërkohet rregullisht nga Komisioni Evropian përmes Raporteve të tij mbi progresin e reformave të vend.