RMV, parashikohet stuhi me erëra të forta, shi i rrëmbyeshëm, breshër dhe rrufe

Deri të shtunën do të mbajë mot shumë i nxehtë me temperaturë mbi mesataren dhe me erë mesatare, ndërsa të shtunën me erë të fortë jugore. Nën ndikimin e frontit atmosferik pasditen e së shtunës dhe në orët e natës moti do të jetë jostabil me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPH), transmeton Portalb.mk.

Siç njofton DPH, në vende të caktuara do të ketë stuhi me reshje të forta shiu për një kohë të shkurtër (mbi 20 l/m2 për 6 orë), erë e fortë, shkarkime elektrike më intensive dhe kushte për paraqitje të breshërit.

Nga e diela do të vijojë mot më i freskët me erë mesatare, kohë pas kohe të fortë nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor.

DPH rekomandon që në rast të rrufeve qytetarët të jenë më të kujdesshëm dhe të mos qëndrojnë në hapësira të hapura dhe nën drunj të vetmuara.