RMV, është gjetur trupi i pajetë i një alpinisti në Pelister

Trupi i pajetë i një alpinisti është gjetur tek vendi “Loveçka kuqa” në malin Pelister, informoi pasdite Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) pas informatës së marrë nga Sektori për Punë të Brendshme Manastir, njofton Portalb.

Sipas informatave fillestare, bëhet fjalë për një person më të moshuar nga Shkupi me inicialet A.S.

Qendra për Menaxhim me Kriza, siç kumtuan nga atje, menjëherë e ka njoftuar Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) nga Manastiri e cila ka ekip për intervenime në kushte malore që trupi i pajetë të transportohet deri te vendi i parë deri te i cili mund të vijë automjet i Ndihmës së shpejtë mjekësore dhe ta marrin trupin.

“Për koordinim më të mirë, nga QMK është realizuar edhe kontakt midis personave kujdestar në SPB Manastir dhe DMSH Manastir”, shtohet në kumtesë.

Ndërkohë, siç informojnë nga atje, ekip i Ministrisë së Punëve të Brendshme duhet të kryejë ekspertizë.

Përndryshe, sipas informatave, vendi ku është gjetur trupi i pajetë i alpinistit ka qenë në lartësi mbidetare prej rreth 2000 metra.