S’ka ndikime në zgjedhjen dhe avancimin e prokurorëve publik, thotë kryetarja e Këshillit të PP-së

Nuk ka kurrfarë ndikime gjatë zgjedhjes dhe avancimit të prokurorëve publik, thotë kryetarja e re e Këshillit të Prokurorëve Publik, Dushica Dimitrieska, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, njofton REL.

Sipas saj, kështu është vepruar edhe gjatë zgjedhjes së fundit të prokurorëve publik nga kandidatët që kanë përfunduar Akademinë për Gjykatës dhe Prokuror Publik, në mesin e të cilëve edhe djali i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi dhe bashkëshortja e shefit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi.

“Nuk ekzistojnë kurrfarë ndikime gjatë zgjedhjes së gjithë këtyre kandidatëve që i përmendët. Të gjithë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik kanë të drejtën e bindjes personale dhe votës dhe këtë e dëshmojnë gjatë votimit. Të gjithë kandidatët përmbushin kushtet, të zgjedhurit janë kandidatë cilësor dhe vlerësoj se me sukses do t`u përgjigjen detyrave që u janë dhënë me funksionet në të cilat  zgjodhi Këshillit”, tha Dimitrieska në pyetjen se nëse dikush ndikon ndaj anëtarëve të Këshillit.

Ajo theksoi se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga Këshilli Etik pranë Prokurorisë Publike lidhur me deklaratën e prokurores Lençe Ristoska, e cila në prill potencoi se mënyra e zgjedhjes së prokurorëve krijon raporte klienteliste.

Ristoska atëherë propozoi reformë të Këshillit dhe shqyrtim të opsionit që ai të bëhet ad hok trup i cili do të mblidhet sipas nevojës.

“Në njërën nga seancat e Këshillit të prokurorëve Publik doli qëndrim nga nga të gjithë anëtarët e Këshillit që deklaratën e këtillë ta dërgojmë për mendim në Këshillin etik pranë Prokurorisë Publike që të verifikohet se nëse ka harmonizim me deklaratat e këtilla të saj me parimet e Kodeksit tik, por deri më sot nuk kemi marrë ndonjë mendim”, tha kryetarja e sapoemëruar e Këshillit të Prokurorëve Publik.

Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publik në intervistë ka theksuar se ende nuk e kanë marrë përkthimin e Raportit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 ku mes tjerash potencohet se Këshilli është jotransparent dhe në mënyrë jo të mjaftueshme i arsyeton vendimet.

Dushica Dimitrieska më 27 shtator me votim të fshehtë, njëzëri u zgjodh nga kolegët e saj në Këshillin e Prokurorëve Publik, për të kryesuar këtë institucion. Funksionin nga paraardhësi i saj, Antonio Jolevski, zyrtarisht e mori më 1 tetor.