RMV, dënimet e lehta lejojnë të vazhdojnë thirrjet anti-shqiptare nëpër stadiume

Thirrjet diskriminuese dhe anti-shqiptare janë shndërruar në një dukuri të përsëritur vazhdimisht dhe shqetësuese në skenën e tifozerisë së futbollit në Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht reagimeve të vazhdueshme nga opinioni publik dhe organizatat që monitorojnë gjuhën e urrejtjes, sloganet dhe brohëritjet nxitëse të urrejtjes vazhdojnë të dëgjohen në stadiume gjatë ndeshjeve sportive. Një rast i tillë është regjistruar edhe në ndeshjen e fundit të vlefshme për Play-off-in e Ligës së Dytë, mes Teteksit dhe Vllaznimit të Strugës. Gjatë takimit, grupi i tifozëve të Teteksit, të njohur si “Vojvodët”, ka bërë thirrje me përmbajtje anti-shqiptare, duke brohoritur “shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur”, shkruan Portalb.mk.

Ndeshjet e fundit të sezonit 2025/26 në futboll nuk kanë kaluar pa ofendime dhe thirrje ofenduese ndaj shqiptarëve. Një problem i tillë është vërejtur edhe në ndeshjen mes Teteksit dhe Vllaznimit të Strugës. Nga institucionet kompetente bëjnë të ditur se do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj çdo kujt që bën thirrje diskriminuese dhe prish rendin dhe qetësinë. Ndërsa thirrjet që bëjnë “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose intolerancës mbi baza kombëtare, racore, fetare dhe baza tjera diskriminuese”, janë të dënueshme sipas sipas nenit 319 të kodit penal të Maqedonisë së Veriut.

Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë për Portalb.mk, kanë bërë të ditur se do të pritet raporti i delegatit zyrtar në ndeshje dhe se në mbledhjen e ardhshme të Komisionit disiplinor do të ndërmerren masat e duhura ndëshkuese.

“Çdo thirrje diskriminuese apo ofendim qoftë në baza etnike apo çfarë do baze klubi përgjegjës do të ndëshkohet dhe do të merren masa në bazë të rregullores”, thanë nga FFM.  

Gjithashtu edhe nga MPB, për Portalb.mk, thanë se incidenti është vërejtur dhe është hartuar raport nga zyrtarët policor.  

“SPB Shkup do të kryejë kontrolle shtesë, duke përfshirë edhe shqyrtimin e pamjeve filmike të ngjarjes, dhe pas përcaktimit të një krimi apo kundërvajtjeje, do të merren masa të përshtatshme dhe do të dorëzohet një raport i përshtatshëm”, thonë nga MPB. 

Nga Prokuroria Themelore Publike për Portalb.mk, thanë se nëse policia e paraqet rastin, ato do të veprojnë.

Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm, i koreve anti-shqiptare në stadiume. Një gjuhë e tillë kohëve të fundit filloi që nga ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë e vlefshme për para kualifikimet e Kampionatit Botëror.

Deri më tani për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe anti-shqiptare, nga FFM-ja është dënuar K.F.Vardari një herë me vetëm një ndeshje pa publik dhe 5.000 euro gjobë për ndeshjen kundër K.F.Bashkimit.

E njëjta gjuhë e urrejtës vazhdoi edhe në disa ndeshje të futbollit, siç ishte ndeshje mes Vardarit dhe Bashkimit, apo edhe në ndeshje të tjera ku luante K.F. Vardari, K.F. Pelisteri dhe K.F. Tikveshi, qoftë me ekipe shqiptare apo maqedonase, tifozët maqedonas brohorisnin duke kërkuar vdekje apo dhoma gazi për shqiptarët. 

Më pas, në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes.

Për këtë të dytën autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës duke e dënuar me kusht dhe duke e dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”.

Për të parën e cila  si rast ndodh më herët dhe u dëshirua vdekja e shqiptarëve nga MPB na u tha se është arrestuar një person dhe se policia “ende merr masa për zbardhjen e rastit”.

Ndryshe, ndër shembujt më pozitiv është përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll. Përbërja e saj në, aspektin etnik, është e përzier. Shqiptarë, maqedonas dhe komunitete tjera, ndajnë bashkë dëshpërimet nga humbjet dhe gëzimet e fitoreve.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mos reagimi adekuat i MPB-së, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskpertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë. Raste të tilla vazhdojnë të hedhin hije mbi frymën sportive dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.