Për thirrjet raciste në Kumanovë “hetimet vazhdojnë”, për valëvitësin e flamurit me “Shqipërinë e madhe” burg me kusht dhe dëbim nga shteti

Ende nuk ka marrë epilog rasti në Kumanovë, ku në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”. Ndërkaq, autoritetet kanë qenë më të shpejtë në identifikimin dhe penalizimin e një shtetasi gjerman për veprën – nxitje e urrejtjes, përçarjes ose intolerancës në baza kombëtare, racore, fetare dhe të tjera diskriminuese sipas nenit 319 të Kodit Penal, shkruan Portalb.mk.  

SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”, u përgjigjën shkurt nga ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në pyetjen e Portalb.mk, se deri ku është procedura e identifikimit të fajtorëve për thirrjet nacionaliste dhe raciste në Kumanovë. 

“Ministria e Brendshme është autoriteti përgjegjës për identifikimin e autorëve të krimeve. Prokuroria Publike në Kumanovë ka lëshuar të gjitha urdhrat dhe udhëzimet e nevojshme për këtë qëllim”, thanë për Portalb.mk nga zyra për informim e prokurorisë në Shkup. 

Nga ana tjetër, pas identifikimit dhe paraqitjes së një kallëzimi penal nga ana e SPB Shkup, Prokuroria Themelore Publike Shkup, me procedurë urgjente, ndoqi penalisht një shtetas gjerman. 

Ai u akuzua sepse më 5 gusht, menjëherë para ndeshjes së futbollit midis KF “Shkëndija” dhe KF “Qarabag”, duke shfaqur dhe valëvitur flamurin e “Shqipërisë së Madhe” dhe me mbishkrimin “Autochthonous”, shkaktoi ndjenja urrejtjeje, përçarjeje dhe intolerance në bazë të përkatësisë etnike. Kjo u vu re nga zyrtarët e policisë, të cilët e privuan nga liria. 

Bazuar në provat e siguruara në koordinim midis policisë dhe prokurorisë kompetente, Gjykata Themelore Penale Shkup menjëherë shpalli vendim me të cilin e shpalli të pandehurin fajtor dhe e dënoi me dënim me kusht prej dy vitesh burg, i cili nuk do të ekzekutohet nëse personi i dënuar nuk kryen një krim të ri në 5 vitet e ardhshme. Njëkohësisht, meqenëse ai është shtetas i huaj, Gjykata vendosi ta dëbojë atë dhe t’i ndalojë hyrjen në vend për pesë vitet e ardhshme. 

Gjuha e urrejtjes e riaktualizuar së fundmi në Republikën e Maqedonisë se Veriut, gojarisht është dënuar nga krerët e lartë politik të shtetit. Me reagim publik doli presidentja Gordana Siljanovska- Davkoka, kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryeparlamentari Afrim Gashi. 

analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë, eskpertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes alarmuan se mosndëshkimi i kësaj vepre penale, sipas nenit 319 të Kodit Penal në RMV e ushqen edhe më tepër urrejtjen.

Sanksione të rrepta për ata që janë përgjegjës, edukim rreth pasojave të dëmshme dhe trajnim për parandalim. Megjithatë, shumë shpesh kjo nuk zbatohet për shkak të zbatimit selektiv ose moszbatimit të plotë të instrumenteve ligjore. Rekomandimet nga komuniteti i profesionistëve dhe ekspertëve janë shumë të qarta: Pavarësisht ligjeve ekzistuese, legjislacioni vendas nuk përmban një përkufizim të qartë ligjor të gjuhës së urrejtjes”, tha profesori universitar Sead Xhigal në prononcimin e tij për Portalb.mk.