Spiropali dënoi gjuhën e urrejtjes së tifozëve ndaj shqiptarëve: Kërkojë reagim publik të zyrtarëve më të lartë të RMV-së
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali ka dënuar ngjarjet e djeshme në Kumanovë. Fyerjet ndaj shqiptarëve ajo i ka quajtur përjashtuese dhe të parapranueshme, duke thënë se, rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë, shkruan Portalb.mk.
“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, ka shkruar Spiropali.
Ajo ka shtuar se, vlerëson reagimin e institucioneve të RMV, po ka kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.
“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, ka theksuar kryeparlamentarja e Shqipërisë.
Ndryshe, të shtunën (2 gusht) gjatë ndeshjes së parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, janë dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”. Në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror të cilët ishin të pranishëm në sallën ku luhej ndeshja, tifozët kanë brohoritur parullat famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”. Asnjëri nga funksionarët shtetëror të pranishëm në ndjeshje, nuk kanë dënuar gjuhën e urrejtjes.