Bujar Fetai për Portalb: Planifikimi urban duhet të mbështetet në analiza profesionale dhe shkencore

Çështjet e pronësisë, kufijtë e parcelave, digjitalizimi i kadastrës dhe planifikimi urban janë tema që prekin mijëra qytetarë, por rrallëherë flitet për profesionin që qëndron në themel të tyre,  gjeodezinë. Për të kuptuar më mirë sfidat me të cilat përballet ky sektor, rëndësinë e të dhënave hapësinore dhe perspektivat e zhvillimit të gjeoinformatikës në vend, Portalb.mk bisedoi me Bujar Fetain, doktor i shkencave në Gjeodezi dhe Gjeoinformatikë, ligjërues në Universitetin e Lubjanës dhe ekspert me përvojë ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të të dhënave hapësinore, planifikimit territorial dhe vlerësimit të pronave. Në këtë intervistë, ai flet për problemet më të shpeshta në kadastër, sfidat e digjitalizimit, rolin e gjeodetëve në zhvillimin urban dhe përvojën e tij akademike në Holandë dhe Slloveni.

Portalb.mk: Dr. Fetai, qytetarët shpesh përballen me zvarritje disavjeçare në Kadastër, pasi vijat kufitare të parcelave në letër nuk përputhen me realitetin në terren. Pse ndodhin ende këto gabime teknike absurde dhe kush mban përgjegjësi kur dy gjeodetë të ndryshëm nxjerrin dy matje të ndryshme për të njëjtën pronë?

Bujar Fetai: Kjo është një çështje që kërkon shpjegim më të gjerë, maar në përgjithësi lidhet me disa faktorë kryesorë: historiko-teknik, institucional dhe faktori njerëzor. Sistemi kadastral në Maqedoninë e Veriut është funksional dhe institucionalisht i konsoliduar, mirëpo është ndërtuar mbi metoda të ndryshme matjeje, çka sjell natyrshëm nivele të ndryshme saktësie. Por elementi më i rëndësishëm është procesi i digjitalizimit dhe integrimit të të dhënave. Në disa raste, ku kadastra në një masë të madhe është e bazuar në matje tokësore, në vend të të dhënave origjinale numerike janë digjitalizuar plane analoge, gjë që krijon mospërputhje në kufij edhe ndërmjet gjeodetëve, varësisht cilat të dhëna merren për bazë. Së fundi, ndikojnë edhe ndryshimet në terren, si ndërtimet pa leje dhe ndërhyrjet joformale në gardhe. Zgjidhja profesionale qëndron në një klasifikim më të qartë të kufijve kadastralë, si: (i) kufij të rregulluar dhe (ii) kufij të parregulluar.

Portalb.mk: Flitet shumë për digjitalizim dhe sisteme moderne GIS, por platformat tona shtetërore shpesh “bien nga sistemi” ose përmbajnë të dhëna të përditësuara keq. A po punojmë ende me metoda dhe harta të vjetruara që nuk i përgjigjen ritmit të shpejtë të ndërtimit, dhe sa i kushton kjo situatë sigurisë juridike të pronës?

Bujar Fetai: Digjitalizimi nuk është vetëm proces teknik, maar edhe reformë institucionale. Maqedonia e Veriut ka bërë progres të dukshëm në këtë drejtim dhe sot të gjitha të dhënat kadastrale janë të digjitalizuara. Por sfida kryesore mbetet integrimi I të dhënave historike me sistemet moderne GIS. Në thelb, cilësia e sistemit varet nga mënyra se si trajtohet e kaluara kadastrale dhe sa mirë ajo përkthehet në sistemin digjital.

Portalb.mk: Pse komunat dhe arkitektët i angazhojnë gjeodetët vetëm në fund, thjesht për të kryer matjet e parcelës, dhe nuk i përfshijnë ata që në analizat fillestare të terrenit dhe rrëshqitjeve të dheut?

Bujar Fetai: Kjo është kryesisht çështje e praktikës institucionale dhe mënyrës si organizohet procesi i planifikimit. Shpesh gjeodeti thirret në fund si “matës i parcelës” apo “matës i objektit”, maar roli i tij real është shumë më i gjerë. Gjeodeti mund të kontribuojë që në fazat e hershme me analiza hapësinore, të cilat janë bazë për planifikim urban cilësor, maar edhe në fazën e realizimit të projekteve.

Portalb.mk: In opinion ekziston perceptimi se me një gjeodet “të rregulluar” mund ta shtysh kufirin e fqinjit për gjysmë metri apo të futesh pak në tokën e shtetit. Sa e lehtë është të manipulohen të dhënat gjeodezike sot dhe çfarë po bën komuniteti i gjeodetëve për t’i pastruar radhët e veta nga ata që bëjnë pazar me pronat e njerëzve?

Bujar Fetai: Kjo është një çështje më shumë perceptimi publik sesa realitet teknik. Natyrisht, si në çdo profesion, ekziston përgjegjësia individuale dhe rastet e izoluara mund të dëmtojnë besimen publik, maar këto nuk e përfaqësojnë profesionin në tërësi. Komuniteti i gjeodetëve funksionon brenda kornizave ligjore dhe etike të qarta, me licencim profesional, kontroll institucional dhe standarde teknike që synojnë të garantojnë saktësinë. Në këtë kuptim, është më e vështirë se kurrë të “shtyhen kufij” në mënyrë të paautorizuar, ndërsa çdo ndryshim në të dhëna lë gjurmë të verifikueshme në sistem. Në rastet e shkeljeve profesionale, ekzistojnë masa të qarta institucionale, duke përfshirë pezullimin ose heqjen e licencës/autorizimit.

Portalb.mk: Gjeodezia shpesh shihet si një profesion “i padukshëm” për publikun, por pa të nuk ka kadastër, urbanizëm, infrastrukturë apo planifikim hapësinor. Si do t’ia shpjegonit një qytetari të thjeshtë rëndësinë e këtij profesioni?

Bujar Fetai: Qytetarët të thjeshtë do t’i thosha: Gjeodeti është profesionisti që i jep përgjigje dy pyetjeve themelore-»KU« ndodhet diçka dhe »SI« është e vendosur në hapësirë, si mbi tokë ashtu edhe nën të. Ai mat terrenin para se projekti të vizatohet dhe e kthen atë nga ideja në realitet hapësinor të saktë.

Portalb.mk: Ju keni përvojë në kadastër, akademi dhe kërkim shkencor. Ku mendoni se ka më shumë nevojë Maqedonia e Veriut për përmirësim: te menaxhimi i të dhënave hapësinore, te planifikimi urban apo te lidhja mes institucioneve dhe universiteteve?

Bujar Fetai: Të tre fushat janë të rëndësishme, maar sfida kryesore mbetet cilësia e planifikimit urban, analiza paraprake hapësinore dhe realizimi i planeve në praktikë. Planet urbanistike ndryshohen shpesh dhe shpejt dhe orientohen drejt ndërtimit, pa analizë të mjaftueshme të infrastrukturës ekzistuese. Një sfidë tjetër është lidhja mes institucioneve dhe universiteteve, ku mungon transferimi i njohurive dhe integrimi i kërkimit në praktikë. Planifikimi urban duhet të mbështetet më shumë në analiza profesionale dhe shkencore.Në fund, çdo vendim urbanistik pasqyrohet në hapësirë dhe, nëse nuk bazohet në analiza të sakta dhe koordinim institucional, pasojat janë afatgjata.

Portalb.mk: Si e përshkruani përvojën e studimeve jashtë vendit, në Holandë dhe Slloveni? Çfarë ju ka ndryshuar më shumë si profesionist dhe si njeri ajo përvojë ndërkombëtare?

Bujar Fetai: Gjatë studimeve kam kaluar sfida të ndryshme, nga ndryshimi i ambientit, kulturës dhe gjuhës deri te përshtatja me sisteme të ndryshme akademike. Studimet në Holandë më kanë ofruar një bazë të fortë në kërkimin shkencor dhe qasjen analitike ndaj problemeve hapësinore, me theks në mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve komplekse. Ndërsa studimet në Slloveni kanë qenë një periudhë e thellimit akademik dhe kërkimor, me fokus në zhvillimin e aftësive të avancuara shkencore dhe metodologjike në fushën e gjeodezisë. Në aspektin personal, kjo përvojë më ka bërë më të pavarur, më të disiplinuar dhe më të aftë për të punuar në mjedise ndërkombëtare dhe ndërkulturore, duke forcuar aftësinë për të lidhur kërkimin shkencor med praktikën profesionale.

Portalb.mk: Pas gjithë këtij rrugëtimi akademik dhe profesional jashtë vendit, a do të ktheheshit në Maqedoninë e Veriut për të kontribuar drejtpërdrejt në fushën e gjeodezisë, gjeoinformatikës dhe arsimit universitar? Çfarë kushtesh apo mundësish do ta bënin këtë kthim më të natyrshëm?

Bujar Fetai: Normalisht, ekziston dëshira që përvoja akademike dhe profesionale e fituar jashtë të kontribuojë në vendin tim. Ndonjëherë, kthimi shihet më shumë si një vendim profesional dhe dëshirë për të kontribuar, sesa si nostalgji… Një kthim më i natyrshëm lidhet me mundësinë për të punuar në një mjedis që vlerëson punën profesionale dhe shkencore, si dhe bashkëpunimin e mirë mes institucioneve dhe akademisë Në këtë mënyrë, përvoja ndërkombëtare mund të shndërrohet në vlerë të shtuar për zhvillimin e arsimit dhe të vendit.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për studentët dhe të rinjtë që duan të ndjekin profesione deficitare, por ndoshta hezitojnë sepse u duken të vështira ose jo mjaftueshëm të njohura për publikun?

Bujar Fetai: Mesazhi im për studentët dhe të rinjtë është të mos hezitojnë të zgjedhin profesione që duken sfiduese ose më pak të njohura për publikun. Ato kërkojnë përkushtim, maar ofrojnë stabilitet profesional dhe ndikim real në zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë. Rrugët sfiduese ndërtojnë jo vetëm eksperiencë, maar edhe vlerë të qëndrueshme profesionale dhe personale. Asgjë e bukur apo e vlefshme nuk arrihet lehtë. Prandaj, investimi in dije dhe profesionalizëm mbetet zgjedhja më e sigurt për një karrierë afatgjatë. Përvoja ime tregon se arsimi cilësor dhe përkushtimi profesional hapin mundësi të mëdha qofshin ato edhe ndërkombëtare.