RMTZ Festival më 31 korrik dhe 1 gusht do të rikthehet në Kërçovë, priten artistë të njohur dhe surpriza
Më 31 korrik dhe 1 gusht, Kalaja e Kërçovës do të jetë nikoqire e edicionit të dytë të RMTZ Festival, i cili këtë vit pritet të sjellë një program më të pasur, skenë më të madhe dhe organizim më professional, shkruan Portalb.mk.
Organizatori i festivalit, Lirian Alimi, për Portalb.mk tha se përgatitjet po ecin me ritëm të mirë, ndërsa këtë vit është punuar me një qasje më profesionale.
“Përgatitjet për edicionin e dytë të RMTZ Festival po ecin me ritëm shumë të mirë. Këtë vit kemi punuar me një qasje edhe më profesionale, duke u fokusuar në çdo detaj të organizimit, nga skena dhe teknika deri te përvoja që do të ketë publiku. Sfida kryesore ka qenë koordinimi i një organizimi të përmasave më të mëdha, duke bashkuar artistët, ekipet teknike dhe gjithë pjesën logjistike në një event të vetëm, por puna dhe përkushtimi i ekipit kanë bërë që gjithçka të ecë sipas planit”, tha Alimi.
Ai bëri të ditur se lista kryesore e artistëve tashmë është përfundimtare. Gjatë dy netëve të festivalit do të performojnë artistë të njohur nga skena muzikore shqiptare dhe ndërkombëtare.
“Lista kryesore e artistëve është përfundimtare. Më 31 korrik do të performojnë Azet dhe Albi, ndërsa programi do të plotësohet edhe nga DJ Vitae, Genti Lokal dhe Kreshatech nga Prishtina. Më 1 gusht publiku do të ketë mundësi të shijojë performancën e Alban Skënderaj dhe Klea Chutrës, së bashku me DJ Vitae, Ylli Gans dhe Genti Trendy”, deklaroi Alimi.
Sipas tij, përzgjedhja e artistëve është bërë duke marrë parasysh kërkesat e publikut, popullaritetin e tyre dhe nevojën që festivali të ofrojë një program sa më të larmishëm.
“Zgjedhja e artistëve është bërë duke pasur parasysh kërkesën e publikut dhe ndikimin që kanë aktualisht në skenën muzikore. Alban Skënderaj dhe Azet janë dy emra shumë të njohur për momentin, por që përfaqësojnë edhe dy zhanre të ndryshme muzikore. Kjo na lejon të krijojmë një program më të larmishëm dhe të sjellim publik të ndryshëm në festival”, tha ai.
Për realizimin e festivalit është siguruar përkrahje institucionale për shfrytëzimin e hapësirës në Kalanë e Kërçovës, ndërsa organizatorët kanë bashkëpunuar edhe me disa sponsorë privatë.
“Kemi pasur përkrahje institucionale përmes lejes për shfrytëzimin e hapësirës dhe realizimin e organizimit në Kalanë e Kërçovës. Gjithashtu kemi bashkëpunim me sponsorë privatë, përfshirë kompanitë me të cilat kemi partneritete për pijet, si dhe dy sponsorët kryesorë të festivalit, Room8daily dhe DejavuBar, të cilët kanë kontribuar në realizimin e këtij edicioni”, deklaroi Alimi.
Ai paralajmëroi se publiku këtë vit mund të presë një atmosferë më të madhe, organizim më profesional, skenografi, efekte dhe surpriza gjatë të dyja netëve të festivalit.
“Publiku mund të presë një atmosferë shumë më të madhe dhe më profesionale se edicioni i parë. Kemi përgatitur një setup gjigant të festivalit, me skenografi, efekte dhe shumë detaje që do ta bëjnë përvojën më të veçantë. Do të ketë edhe surpriza gjatë netëve të festivalit, me synimin që RMTZ Festival të jetë një ngjarje që mbahet mend dhe të vazhdojë të rritet çdo vit”, përfundoi Lirian Alimi.