Grupi “Marigona” i dha fund karrierës me koncertin e lamtumirës “Përjetë” në Prishtinë

Grupi i njohur “Marigona” u ngjit mbrëmë për herë të fundit në skenë, në koncertin e lamtumirës të mbajtur në AMC Hall, në periferi të Prishtinës, shkruan Portalb.mk.

Koncerti, i titulluar “Përjetë”, simbolizoi jetëgjatësinë e këngëve të grupit, të cilat ndër vite kanë mbetur të dashura për shumë breza. Me këtë mbrëmje, “Marigona” i dha fund një karriere të gjatë muzikore, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në muzikën shqiptare.

Koncerti mblodhi fansa të grupmoshave të ndryshme, duke dëshmuar popullaritetin dhe ndikimin që grupi ka ruajtur ndër vite.

Gjatë mbrëmjes, “Marigona” interpretoi disa nga këngët më të njohura të repertorit të saj, si dhe krijime më të reja, duke rrumbullakuar kështu rrugëtimin e saj muzikor.

Një nga momentet më emocionuese ishte dueti i solistit të grupit, Vullnet Sefaja, me vajzën e tij, Vesën, i cili u prit me duartrokitje nga publiku.

Në koncertin e lamtumirës morën pjesë edhe disa mysafirë të ftuar, ndër ta MC Kresha, Fifi dhe Zana Abazi Ramadani.