Ristoska do ta ndjekë VMRO-DPMNE-në për larje parash në ‘Talir 1’ deri në 2035, ngriti edhe padi civile
Lënda për larje të parave nga ish-funksionarë të VMRO-DPMNE-së, me në krye Nikolla Gruevskin, vjetërsohet në vitin 2035 dhe për këtë arsye prokurorja Lençe Ristoska thotë se nuk do të heqë dorë nga ndjekja e krimit të kryer, edhe pse çdo ditë përballet me fyerje dhe presione nga pushteti, transmeton Portalb.mk .
Derisa pret që Këshilli i Prokurorëve Publikë të mblidhet lidhur me kallëzimin kundër kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e fyeu publikisht në një intervistë, ajo ka ngritur edhe padi civile kundër partisë, e cila në një komunikatë në tetor paralajmëroi “fundin” e saj, pasi në tetor të vitit të kaluar partia dërgoi kumtesë me titullin: “Ristoska, simbol i trishtë i padrejtësisë me bonuse shtetërore dhe kartë shërbimi në shërbim të Zaevit dhe Grubit“, e cila fillon me fjalët: „Çfarë fundi!“.
“Po i shfrytëzoj të gjithë mekanizmat institucionalë që i kam në dispozicion, sepse është e papranueshme që cilido person i akuzuar të ushtrojë presion ndaj një prokurori publik, e aq më pak nga një pozitë pushteti. Kam paraqitur padi kundër partisë. Kam dërguar njoftim për kryeministrin te Këshilli i Prokurorëve Publikë si institucion i ngarkuar për mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve publikë”, deklaroi sot Ristoska pas shtyrjes në afat të pacaktuar të lëndës “Talir 1”.
VMRO–DPMNE reagoi duke thënë se prokurorja Lençe Ristoska shtiret si viktimë.
“Prokurorja Lençe Ristoska ishte pjesë e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), e cila përfundoi me një skandal kriminal dhe një rrjet zhvatjeje me vlerë disa miliona euro. Ajo e ka diskredituar veten duke qenë pjesë e një prokurorie të formuar për ndjekje politike dhe zhvatje, e cila ishte vegël në duart e LSDM-së dhe Zoran Zaevit. Ristoska, në vend që të kërkojë falje, bën defokusim dhe shtiret si viktimë. Ajo nuk është aspak viktimë”, thanë nga VMRO–DPMNE.
Gjykata Themelore Penale e zvarrit këtë lëndë dhe për këtë arsye, deri më tani, asnjë nga gjykatësit që e kanë gjykuar nuk është dënuar nga Këshilli Gjyqësor.
Sot pati përpjekje që për herë të gjashtë të rifillojë nga e para ky rast i madh, për shkak të të cilit Nikolla Gruevski, i arratisur, nuk mund të kthehet në vend.
“Mbrojtja në këtë rast e di se provat e Prokurorisë janë të pakontestueshme dhe të forta, prandaj strategjia e tyre provuese është e fokusuar në zvarritjen e procedurës, sepse vetëm përmes vjetërsimit të akuzuarit mund t’i shmangen përgjegjësisë. Nga ana tjetër, Prokuroria, pavarësisht vjetërsimit të veprës paraprake (keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimeve për Nikolla Gruevskin dhe Kire Bozhinovskin), konsideron se nuk ka pengesa për ndjekjen e veprës penale ‘Larje parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale’, për të cilën vjetërsimi sipas ligjit ndodh në vitin 2035”, deklaroi Ristoska për SDK.
Ajo përfaqëson edhe aktakuzën “Talir 2”, në të cilën është ngrirë pasuria e Pallatit të Bardhë, përkatësisht selia e VMRO-DPMNE-së, dhe e cila vjetërsohet më herët.
Në “Talir 1” për larje parash mbeten të njëjtit të akuzuar: Nikolla Gruevski, Kire Bozhinovski, Ilija Dimovski, Leko Ristovski dhe Mile Janakieski.
Ky gjyq ka filluar që në shkurt të vitit 2019 dhe ende ndodhet në shkallën e parë.
Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.