Ligji për duhanin në RMV parashikon ndalimin e reklamimit dhe promovimin e produkteve të duhanit 

Projektligji i ri për mbrojtjen nga duhani në Maqedoninë e Veriut parashikon ndalim të plotë të reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit, transmeton Portalb.mk

Këto dispozita ligjore vlejnë për publikimet në media, në internet dhe rrjete sociale, si dhe për ngjarje, lojëra shpërblyese, zbritje dhe dhurata. 

“Qasja e lehtë dhe ekspozimi i produkteve rrisin numrin e përdoruesve të rinj, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Largimi i ekspozimit konsiderohet një nga masat më efektive për parandalim. Mbrojtja e fëmijëve është prioritet absolut”,-vlerëson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. 

Përveç ndalimit të shitjes për të miturit, jo vetëm të cigareve klasike, por edhe të të gjitha produkteve të tjera me nikotinë, ligji parashikon edhe: Ndalim të ekspozimit publik të produkteve të duhanit dhe nikotinës në pikat e shitjes; ndalim të shitjes së tyre në objekte hotelerie, sportive, kulturore dhe në ngjarje publike. 

“Reklamimi ndikon drejtpërdrejt në fillimin e pirjes së duhanit, sidomos tek të rinjtë. Me këto dispozita ligjore parandalohen format e fshehura të promovimit të këtyre produkteve Shëndeti publik ka përparësi ndaj interesit komercial”, theksoi Aliu. 

Ndryshe, projektligji për mbrojtje nga duhani është publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRR), ku të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara mund të marrin pjesë në debatin publik para miratimit të tij.