Rexhepi alarmoi që ndërtimi i bulevardit “Boris Kidriç” po bëhet kundërligjshëm, Komuna e Tetovës e demantoi
Punimet në bulevardin “Boris Kidriç” po bëhen kundërligjshëm, vlerësoi kandidati i BDI-së për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi. Menjëherë ka reaguar Komuna e Tetovës, transmeton Portalb.mk.
“Ndërtimi i bulevardit “Boris Kidriç” në Tetovë po bëhet në mënyrë të jashtëligjshme. Organet kompetente të veprojnë shpjet dhe pa hezitim!”, deklaroi sot Bajram Rexhepi.
Menjëherë ka reaguar Komuna e Tetovës, duke e llogaritur gënjeshtër dhe propagandë politike konferencën e Bajram Rexhepit.
“Kandidati nga radhët e AKI-së Bajram Rexhepi, sot në një press konferencë ka theksuar se rruga “Boris Kidriç” nuk ka leje ndërtimi. Komuna e Tetovës e demanton këtë lajm, pasi për rrugën në fjalë ka LEJE NDËRTIMI dhe të gjitha procedurat paraprake duke ia bashkangjitur edhe vendimin e këshillit!”, reaguan nga Komuna e Tetovës, duke publikuar edhe vendimin.
Bajram Rexhepi ka reaguar pas demantit të Komunës së Tetovës, duke theksuar se për këtë bulevard janë nënshkruar dy kontrata, njëra më 2 shtator e tjetra me 7 gusht të vitit 2024. Ai theksoi se leja e ndërtimit është marrë pas fillimit të punimeve, ndërsa leja e ndërtimit nuk është marrë për një projekt të ri, por për rikonstruksion.
“Komuna e Tetovës tani mundohet, përmes fabrikimeve dhe keqinformimit të qëllimshëm të gënjejë opinionin publik dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kjo nuk kalon, koha e përgjegjësisë po afrohet dhe përgjegjësi do të ketë”, deklaroi Rexhepi, i cili shtoi se për ndërtimin e këtij bulevardin janë nënshkruar dy kontrata,
Ndryshe, në rrugën “Boris Kidriç” më 18 korrik kanë filluar punimet. Këto punime kanë filluar pas një sërë anulimesh, që sipas autoriteteve komunale faji qëndronte në kompanitë e kontraktuara.
Për ndërtimin e rrugës “Boris Kidriç” është përzgjedhur kompania Çabi Trans. Мë 6 shkurt 2024 Komuna e Tetovës e ka nënshkruar marrëveshjen me vlerë 7.146.737,26 denarë, kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj. Ndërsa më 7 gusht 2024 u nënshkrua edhe një marrëveshje tjetër për të njëjtën rrugë në vlerë prej 4.874.580 denarësh me kohëzgjatje prej 12 muajsh.
Kujtojmë që rikonstruimi i rrugës “Boris Kidriç” ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge moti kohë kanë kërkuar që të rikonstruohet rruga.
- LEXO: Përfundimisht nuk filloi asfaltimi i rrugës “Boris Kidriç” siç tha Kasami
- LEXO: Kasami dje tha sot, sot thotë nesër: ‘Boris Kidriç’ ende pa asfalt
- LEXO: Kaos në pikun e verës në ‘Boris Kidriç’: Njëra pjesë ende pa asfalt, Kasami thotë se asfaltimi pritet të fillojë sot
- LEXO: Zvarritet rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç në Tetovë, komuna fajin ja le motit të keq
- LEXO: Në afat të pacaktuar, banorët do të jenë pa ujë në rrugën ‘Boris Kidriç’ në Tetovë për shkak të rikonstruimit të rrugës