Maqedonia e Veriut shënon 8 Shtatorin – Ditën e Pavarësisë, politikanët përcollën urimet e tyre
Udhëheqësit e partive politike dhe institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut, sot kanë dërguar mesazhe urime në lidhje me 8 Shtatorin- Ditën e Pavarësisë, transmeton Portalb.mk.
“Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë së shtetit, 8 shtatorin, Ditën e Pavarësisë, e cila sot është festë e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Ky është momenti kur qytetarët e këtij vendi zgjodhën rrugën e sovranitetit dhe vendosën themelet e shtetit të lirë dhe të pavarur”, thuhet në komunikatën e VLEN-it, duke uruar gjithë qytetarët.
VLEN-i theksoi se Marrëveshja e Ohrit ka sjellën barazi për të gjithë qytetarët në vend, ndërsa kanë kërkuar ta forcojnë demokracinë, barazinë dhe perspektivën evropiane të vendit tonë.
“Përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut është gjithmonë shkas për të reflektuar mbi atë se ku ishim, ku jemi dhe ku duhet qenë”, deklaruan nga Bashkimi Demokratike për Integrim, duke e theksuar si moment vendimtar edhe Marrëveshjen e Ohrit, si mekanizëm për barazi ndëretnike.
BDI-ja opozitare vlerësoi se sot po cenohet kjo bashkëjetesë e ndërtuar nga Marrëveshja e Ohrit.
“8 Shtatori nuk është vetëm datë simbolike, por edhe moment i kthesës historike për popullin tonë, koha kur u ngrit shtylla e pavarësisë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE.
Ai vlerësoi se zëri i 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë është rrumbullakim i luftës së vazhdueshme të popullit të vogël për pavarësi, si një zë edhe i Republikës së Ilindenit, ASNOM-it dhe heronjve tjerë që kanë pasur shpirtin e çlirimtarit.
“Ky është shtet i të gjithëve, patjetër duhet të luftojnë për shtëpinë tonë. Shteti nuk është pronë e askujt. Nuk është pronë e partive, as e qeverive. Shteti është i qytetarëve. Kjo është shtëpia jonë. Për vendin tonë patjetër duhet të luftojmë”, deklaroi kryeopozitari Venko Filipçe, i cili përmes i uroi qytetarët për Ditën e Pavarësisë, duke e llogaritur ditën më të rëndësishme.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kërkoi nga qytetarët që të bashkohen rreth vlerave, pasi do të krijojmë një shtet më të fortë dhe më të drejtë.
“Dita e Pavarësisë është një moment i veçantë, një mundësi për të reflektuar mbi arritjet e mëdha të këtij shteti dhe për të kujtuar se pavarësia nuk është thjesht një dhuratë, por një amanet i trashëguar nga e kaluara, detyrim për të tashmen dhe udhërrëfyes për të ardhmen tonë. Ky amanet na obligon që të ndërtojmë një shtet të fortë, demokratik dhe të qëndrueshëm, ku çdo qytetar të ndjehet i barabartë dhe i respektuar, pa asnjë dallim”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silajnovska – Davkova, vlerësoi luftën e Maqedonisë së Veriut në këto tri dekada për shtet sovran.
“Sot, 34 vjet më vonë, në një botë të bazuar në forcë, jo në drejtësi, ne ende luftojmë për një shtet sovran, të barabartë, modern, standard, evropian dhe ligjor, anëtar të Bashkimit Evropian. Gjatë tri dekadave të fundit, jemi përballur me ndarje dhe kriza të shumta të brendshme, presione dhe sfida të jashtme, lëshime dhe kompromise që nuk përputhen me vendimin e referendumit të vitit 1991, si dhe me ligjin ndërkombëtar dhe kombëtar”, deklaroi Siljanovska.
Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 34-vjetorin e pavarësisë së saj. Ky përvjetor shtetin e gjen të bllokuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Trazirat politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit njëzet çuan në shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi.
Më pas, në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Me çka Maqedonia shpalli pavarësinë.