Restaurimi digjital i filmave shqiptarë, Gonxhja: Autenticiteti mbetet i paprekur, përmirësohet cilësia vizuale

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Shqipëri po vijon procesin e restaurimit digjital të veprave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi se për herë të parë po restaurohet filmi me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” (1957), me regji dhe skenar të Hysen Hakanit, shkruan Portalb.mk.

Procesi parashikon digjitalizimin e kopjes origjinale, stabilizimin e pamjes, eliminimin e dëmtimeve dhe papastërtive të krijuara me kohë, rregullimin e kontrastit dhe rikthimin e cilësisë vizuale sa më pranë asaj të versionit të parë, duke ruajtur besnikërisht autenticitetin e veprës.

Foto nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Foto: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (Facebook)
Foto nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Foto: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (Facebook)

Ministri Gonxhja në faqen e tij zyrtare në Facebook ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kinematografike për brezat e ardhshëm.

“Mirëmëngjes nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, ku vijon puna për restaurimin digjital të veprave kinematografike shqiptare. Aktualisht po restaurohet për herë të parë filmi shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj” (1957), me regji dhe skenar nga Hysen Hakani. Procesi i restaurimit përfshin skanimin digjital të materialit filmik origjinal, stabilizimin e imazhit, pastrimin e dëmtimeve fizike, korrigjimin e kontrastit dhe densitetit, si dhe rikuperimin e cilësisë vizuale sa më afër versionit origjinal, duke respektuar parimet profesionale të ruajtjes së autenticitetit të veprës”, ka theksuar Gonxhja.

Ky proces rikthen klasiket e kinemasë shqiptare dhe i ofron publikut mundësinë t’i shohë filmat e dikurshëm me cilësi të lartë vizuale.