Regjisorët Ibër Deari dhe Mirsad Abazi u përzgjodhën në programin evropian Doc Around Europe Talents 2026
Regjisorët Ibër Deari dhe Mirsad Abazi janë përzgjedhur në programin prestigjioz Doc Around Europe Talents 2026 me dokumentarin “ANTIGONA”, të financuar nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.
Doc Around Europe Talents është iniciativë evropiane, e mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Evropian, që synon promovimin e autorëve më premtues të filmit dokumentar dhe lidhjen e tyre me festivale, producentë dhe profesionistë të industrisë së filmit në Evropë.
Në kuadër të këtij programi, Deari dhe Abazi prezantohen si autorë të dokumentarit “ANTIGONA”, i cili këtë vit pati premierën botërore në Sheffield DocFest, një nga festivalet më të njohura ndërkombëtare të filmit dokumentar.
Përzgjedhja e tyre në Doc Around Europe Talents 2026 paraqet një tjetër vlerësim ndërkombëtar për autorët, por edhe promovim për kinematografinë e Maqedonisë së Veriut në skenën evropiane.