Kostoja e tmerrshme e luftës ruse: Progres minimal, humbje rekord dhe dhunë brenda rradhëve

Ushtria ruse vazhdon të mbajë iniciativën përgjatë gjithë vijës së frontit, por kjo po arrihet me një kosto njerëzore dhe financiare që po bëhet gjithnjë e më e pafavorshme. Sipas të dhënave të fundit të shkurtit 2026, forcat ruse po arrijnë vetëm fitime territoriale margjinale që nuk lejojnë një shfrytëzim të vërtetë operacional. Ky trend i gërryerjes së forcave është përshpejtuar ndjeshëm që nga fundi i vitit 2025, shkruan Portalb.mk.

Për shembull, Rusisë iu deshën pothuajse katër vjet për të avancuar nga Donetsku në Pokrovsk, një distancë që një këmbësor mund ta përshkonte në një ditë të vetme. Që nga kapja e Avdiivka-s në shkurt 2024, avancimi ka qenë vetëm 50 kilometra.

Gjendja e burimeve njerëzore po rëndohet dita-ditës. Vetëm në janar të vitit 2026, ushtria ruse raportohet se pësoi një humbje neto prej 9,000 ushtarësh—humbje këto që nuk u kompensuan dot nga rekrutimet e reja, për vetëm 245 kilometra katrorë të pushtuar.

Që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, lufta i ka kushtuar Rusisë deri në 325,000 të vdekur dhe deri në 1.2 milionë viktima gjithsej (të vrarë dhe të plagosur), ku vetëm viti 2025 shënoi 426,000 prej tyre. Për ta vënë në perspektivë, humbjet ruse vetëm gjatë dy muajve (dhjetor 2025 dhe janar 2026) janë ekuivalente me humbjet totale të Ushtrisë së Kuqe gjatë gjithë luftës dhjetëvjeçare në Afganistan.

Për të mbajtur gjallë këtë makinë lufte, Rusia po shpenzon shifra marramendëse, me mbi 20 miliardë euro ose 1% të GDP-së të dedikuara vetëm për bonuse rekrutimi dhe dëmshpërblime për familjet e të vrarëve. Pavarësisht këtyre stimujve, numri i rekrutëve po pëson rënie të vazhdueshme, duke e detyruar shtetin të kalojë drejt masave më shtrënguese dhe legjislacionit që detyron rezervistët të marrin pjesë në misione speciale. Situata është aq e rëndë sa rreth 50,000 deri në 70,000 ushtarë kanë dezertuar që nga viti 2022, shifër kjo që përfaqëson rreth 10% të të gjithë forcave të dërguara në Ukrainë.

Përballë vështirësive të brendshme, Kremlini po i kthehet Jugut Global, duke rekrutuar me mashtrim ose forcë shtetas nga Kuba, India, Nepali dhe shumë vende afrikane si Benini, Kameruni dhe Kenia. Këta rekrutë dërgohen në front pa asnjë përgatitje dhe përdoren si “mish për top”, ndërsa shkalla e vdekshmërisë mes tyre është veçanërisht e lartë. Paralelisht, programi “Alabuga Start” synon të rekrutojë 10,000 gra afrikane për të punuar në fabrikat e dronëve në kushte që shkelin çdo standard ndërkombëtar dhe i ngjajnë skllavërisë.

Brenda vetë rradhëve të ushtrisë ruse, dhuna sistemike mbetet një tipar endemik. Raportohet se të paktën 150 ushtarë janë torturuar ose rrahur deri në vdekje nga vetë kolegët e tyre me dijeninë e komandës. Komandantët, të cilët shpesh marrin pseudonimin “puzik”, i trajtojnë ushtarët e tyre me përbuzje të plotë, duke i sakrifikuar si iska për të nxjerrë në pah pozicionet e armikut. Kjo mungesë totale e konsideratës për faktorin njeri po shkatërron kohezionin afatgjatë të institucionit ushtarak rus.