Nga banka shqiptare te “ALTA Banka” serbe, si u harrua premtimi elektoral i “VLEN”-it?

Gjatë fushatës zgjedhore dhe në programet e tyre elektorale, partive politike që i hyjnë garës shpeshherë u mungon vetëm fraza do ta bëjmë “detin kos”. Por sapo zgjedhjet të kalojnë, premtimet humbin dhe i mbulon harresa. Një fat të tillë po e pëson edhe premtimi i koalicionit VLEN për hapjen e një banke shqiptare, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kanë kaluar dy vjet që nga zgjedhjet parlamentare, premtimet e qeveritarëve i ka kapluar pluhuri. VLEN-i, në programin me të cilin garoi në zgjedhjet e fundit parlamentare, patë premtuar se brenda mandatit do të angazhohej për krijimin e kushteve për themelimin e bankave me kapital dominues shqiptar. Sipas tyre, synimi i këtij institucioni financiar do të ishte pakësimi i diskriminimit të deritashëm të shqiptarëve sa i përket financave, qasjes në kredi dhe pjesëmarrjes në tregjet financiare.

“Prandaj fokusi i kësaj Banke do të jetë financimi i bizneseve shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Por në bashkëpunim me qeverinë e komunat, Banka Shqiptare do të mund të bëhet pjesë me formatin PPP dhe te projektet e mëdha zhvillimore”, thuhet në programin e VLEN-it në faqen 14.

Printscreen nga programi zgjedhor i VLEN-it
Printscreen nga programi zgjedhor i VLEN-it

Megjithatë, një projekt i tillë nuk është përfshirë në Programin zyrtar të punës të Qeverisë 2024-2028. Deri më tani, opinioni nuk është njoftuar për asnjë hap konkret drejt realizimit të këtij qëllimi.

Nga VLEN-i, në pyetjen tonë rreth iniciativës për çështjen e Bankës shqiptare u përgjigjen shkurt. Nga atje thonë se janë në vitin e dytë të mandatit katër vjeçar.

“Na presin shumë punë edhe në dy vitet tjera të mandatit tonë”, thonë nga VLEN.

Profesori i ekonomisë, Abil Baush, u shpreh për Portalb.mk se ekziston një hapësirë e caktuar për hyrjen e një banke të re komerciale në tregun e Maqedonisë së Veriut, por kjo nuk varet nga përkatësia etnike, por nga aftësia e saj për të sjellë konkurrencë dhe vlerë të re.

“Sistemi bankar aktual është relativisht stabil dhe i dominuar nga disa banka të mëdha, gjë që kufizon konkurrencën në disa segmente. Një bankë e re mund të ketë rol pozitiv nëse fokusohet në financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, startup-eve, investimeve të diasporës dhe shërbimeve moderne digjitale. Nevoja për një ‘bankë shqiptare’ duhet të analizohet nga aspekti ekonomik dhe jo vetëm politik. Nëse një institucion i tillë arrin të mobilizojë kapitalin e diasporës shqiptare, të krijojë produkte financiare inovative dhe të mbështesë sektorë që aktualisht kanë qasje më të kufizuar në financa, atëherë mund të sjellë risi reale në treg”, u shpreh Baush.

Përndryshe, siç shtoi ai, nëse ajo funksionon sipas modelit të njëjtë si bankat ekzistuese, ndikimi i saj do të jetë i kufizuar dhe më shumë simbolik sesa zhvillimor. Nga aspekti i realizueshmërisë, hapja e një banke të re mbetet një proces kompleks që kërkon kapital të konsiderueshëm, licencim nga Banka Popullore, standarde të larta menaxhimi dhe krijimin e besimit te qytetarët.

“Prandaj, sfida kryesore nuk është vetëm themelimi i bankës, por aftësia e saj për të qenë e qëndrueshme, konkurruese dhe për të ofruar produkte që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Në fund, suksesi i saj do të matet jo nga emri apo identiteti i saj, por nga ndikimi që do të ketë në ekonomi dhe në qasjen e qytetarëve ndaj financave”, tha Baush.

Bankë shqiptare jo, por sërbe po

Në vend të një banke me kapital shqiptar, në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut ka hyrë një bankë me pronësi nga Serbia. Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).

Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.

Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.